Flash News

Ditari i Opozitës

Pas avokatëve, Berisha kundërshton ashpër hartën e re gjyqësore: Ndëshkohen banorët e 10 qyteteve, rrit shpenzimet

Pas avokatëve, Berisha kundërshton ashpër hartën e re

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka kundërshtuar hartën e re gjyqësore me argumentin se shkel të drejtat e individëve. Më herët këtë argument e kanë mbështetur edhe avokatët, të cilët kanë vendosur të bojkotojnë për disa ditë seancat gjyqësore.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, kryedemokrati tha se reduktimi i numrit të gjykatave cënon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit.

Ai hodhi akuza ndaj qeverisë, duke shtuar se ky vendim “ndëshkon” banorët e 10 qyteteve të vendit.

Kryedemokrati nënvizoi se kjo rrit kostot për qytetarët, të cilët do të jenë të detyruar të shkojnë nga një qytet në tjetrin për të zhvilluar proceset gjyqësore.

“Me krijimin e një stoku prej 110 mijë dosjeve gjyqësore dhe mohimit de facto të të drejtës për një proces të drejtë gjyqësor, Edi Rama urdhëroi në një akt të papërgjegjshëm KLGJ-në e partisë të mbyllë 18 gjykata në shkallë vendi.

Kështu, me hartën e re gjyqësore të Edi Ramës mbyllen 9 gjykata të shkallës së parë dhe mohohet aksesi i qytetarëve në sistemin e Drejtësisë. Mbyllen 4 gjykata administrative dhe ngelet vetëm një gjykatë në Tiranë dhe një në Lushnje. Mbyllen 5 gjykata të Apelit dhe mbetet vetëm Apeli i Tiranës. Praktikë kjo 100% e dështuar pasi u eksperimentua në 1999.

Me këtë vendim gjobiten dhe ndëshkohen banorët e 10 qyteteve të vendit që duhet të udhëtojnë qindra kilomentra rrugë për të shkuar në gjykatën tjetër. Miratimi i hartës së re gjyqësore është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut që dënohet me Kushtetutë. Mbyllja e shumë gjykatave cënon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit.

Kështu rriten shpenzimet e udhëtimit, hoteleve për qytetarët dhe shpenzohet koha e tyre. U mohohet edhe aksesi në sistemin e drejtësisë. Miratimi i hartës së re është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, tha Berisha.

Të fundit