Flash News

Ditari i Opozitës

PD: 650 mln euro para publike në dorë të një grupi kompanish

PD: 650 mln euro para publike në dorë të një grupi kompanish

Partia Demokratike ka denoncuar ashpër keqmenaxhimin dhe shpërdorimin e fondeve publike përmes prokurimeve të dyshimta.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, akuzoi qeverinë se shumica e tenderave publikë po jepen në favor të kompanive të lidhura me zyrtarë të lartë të shtetit.

Sipas saj, shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) gjatë procesit të prokurimeve kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 2 miliardë e 550 milionë euro vetëm në katër vitet e fundit.

“Sipas analizës së emisionit investigativ ‘Vetting’ në bashkëpunim me Open Procurement dhe ekspertë të fushës, procedurat me vlerën më të madhe monetare për periudhën 2020-2023 në shumicën prej tyre janë kryer pa garë, pasi kompanitë ofertuese janë skualifikuar ose ka pasur pjesëmarrëse vetëm një ofertues duke monopolizuar fondet publike, tek një grusht kompanish dhe duke lënë jashtë procesit të prokurimit shumicën e operatorëve të tregut e aq më shumë kompanitë e huaja.

Nga të dhënat e përpunuara nga ‘Open Data Albania’, rezulton se vlera totale e tenderave me flamur të kuq është 72,3 miliardë lekë.”– deklaron Vangjeli.

Në deklaratë theksohet se në 4 vite, 650 milionë euro fonde publike janë paguar në favor të një grupi kompanish shpallur si fituese pa garë, të cilat fitojnë në mënyrë të përsëritur shumicën e tenderave dhe automatikisht gjenerojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga institucionet publike.

Nga raportet e Agjencisë së Prokurimeve Publike evidentohet se vetëm për vitin 2023 janë realizuar 1218 procedura tenderash me vetëm një ofertues pjesëmarrës në garë dhe 24 % e procedurave kanë dështuar.

Sipas ekspertëve, arsyeja reale e dështimit është sepse nuk janë shpallur fitues operatorët që autoritetet duan.

Vangjeli shprehet se “këtë e tregon fakti që kompanitë e përfshira në tenderat me vlerat më të larta, të zhvilluara me procedurë të kufizuar apo negocime të drejtpërdrejtë, dhe jo vetëm, janë në pronësi të familjarëve të zyrtarëve të lartë  dhe me lidhje e përfitime të dyshuara të këtyre të fundit nga zhvillimi i procedurave të prokurimit, si rasti i kreut të KPP.

Drejtues të institucionesh shtetërore si rasti Myzyri i KPP-së, guxojnë të prodhojnë edhe raste të paprecedentë duke urdhëruar edhe pezullimin e zbatimit të vendimit të gjykatës së Apelit i formës së prerë dhe i detyrueshëm për zbatim.

Nga ana tjetër, vetë strukturat shtetërore që kanë detyrë të hetojnë zbatimin e ligjit në fushën e prokurimit publik si APP-ja, nuk kanë kryer hetim administrativ për tendera të caktuar edhe pas ankesave e kundërshtimeve dhe mbi të gjitha identifikimit të shkeljeve nga vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit”.

Më tej Vangjeli shprehet se sektori i Monitorimit të Koncesioneve dhe Procedurave në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë pranë APP-së mund të kryejë hetim administrativ, për këto procedura pas fazës së nënshkrimit të kontratës. Por kjo nuk ka ndodhur, as për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, as për koncesionin rrugor ‘Milot-Thumanë’, as për koncesionin e rrugës ‘Kashar-Pezë-Lekaj’ as për  koncesionin e rrugës ‘Lekaj-Konjat-Fier’.

“Sipas raportit të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me veprimtarinë e Agjencisë së  Prokurimeve për periudhën 2021-2023 jo vetëm që nuk është  kryer asnjë hetim administrativ për këto koncesione, por edhe vetë APP-ja nuk ka plotësuar stafin për këtë sektor dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë dokument, që kjo agjenci të dëshmojë arsyet se pse nuk janë realizuar këto verifikime duke ngritur dyshime se bllokimi i verifikimit të kontratave koncesionare ka qenë i qëllimshëm.

Të fundit