Flash News

Ditari i Opozitës

PD çel garën e primareve, Berisha me Kryesinë: Të hapur për aleatët!

PD çel garën e primareve, Berisha me Kryesinë: Të hapur

Partia Demokratike ka hapur garën e primareve. Kështu njoftoi lideri Sali Berisha në mbledhjen e Kryesisë, që u zhvillua sot në selinë blu. Duke vënë theksin te hapja e kësaj force politike, Berisha tha se mirëpriten të gjitha kandidaturat. Primaret, sipas Berishës, fuqizojnë pozitat e bazës.

“Jemi mbledhur për miratimin e modalitetit që ka të bëjë me pjesëmarrjen e simpatizantëve në zgjedhjet vendore 2023 dhe hapjen e garës primare për pushtetin vendor në të gjitha degët e Partisë Demokratike.

Mbledhja është e një rëndësie të veçantë. Ne vazhdojmë me përpjekjen tonë për një transformim të jetës së Partisë Demokratike në një forcë politike më demokratike, më të hapur. Që vendimmarrjen kryesore ia beson kryesisë dhe simpatizantëve të saj të cilët kanë investim të madh në këtë parti.

Do të jenë ata që do përcaktojnë qytetarët e parë dhe këshilltarët e tyre parlamentarë dhe lokalë. Mendoj se kjo risi është një kontribut thelbësor i opozitës shqiptare në demokracinë e këtij vendi. Veçanërisht zbatimi i kësaj praktike merr një rëndësi të veçantë po të kemi parasysh qëndrimin anti demokratik që mbahet edhe është mbajtur vitet e fundit ndaj votës së qytetarëve e cila faktikisht është pothuajse e përjashtuar tërësisht”, tha Berisha.

Ky i fundit tha se PD mirëpret propozimet e aleatëve. Ai i cilësoi të drejta propozimet e aleatëve, të cilët kanë kërkuar që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët.

“Por janë zhvilluar takime intensive me aleatët dhe kanë propozime te drejta dhe të arsyeshme dhe theksoj që këtu mirëpriten të gjitha sugjerimet e tyre, mirëpriten kandidaturat e tyre dhe nga shoqëria civile dhe bota akademike e vendit.

Ne hapim një garë të paparë ndonjë herë në historinë e këtij vendi. Ndaj do të bëjmë gjithçka për suksesin e kësaj gare. Kjo është një sukses për demokracinë në Shqipëri”, shtoi Berisha.

Të fundit