Flash News

Ditari i Opozitës

PD denoncon Ministrinë e Financave: Ka urdhëruar pezullimin nga puna të mësuesve që kandidojnë në Këshillin Bashkiakë

PD denoncon Ministrinë e Financave: Ka urdhëruar pezullimin nga puna

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në PD, Lili Sula ka denoncuar Ministrinë e Financave e cila ka udhëruar titullarët e Shkollave të Mesme, Drejtorive Rajonale të Punësimit dhe instancave të tjera përkatëse, për të pezulluar nga puna ata mësues që kandidiojnë për anëtarë të këshillave bashkiakë.

“Ministria e Financave ka urdhëruar titullarët e Shkollave të mesme profesionale, Drejtoritë rajonale të formimit profesional publik, Drejtoritë rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive – për të pezulluar nga puna mësuesit që kandidojnë për anëtarë të këshillave bashkiakë – duke u shprehur tekstualisht se, nëse ata janë regjistruar si kandidate për këshillat vendorë… drejtuesit duhet të njoftojnë menjëherë pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive me qëllim që të ndjekim procedurat e pezullimit nga detyra”, tha Sula.

Demokratja deklaroi se në bazë të rregullores “baza ligjore që kanë cituar nuk ka asnjë lidhje me objektin e kërkuar dhe konkretisht : pika 3, e nenit 63, të Ligjit nr. 10 019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, merret me regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve. Nenet 45 dhe 69 të Kushtetutës përcaktojnë liritë dhe të drejtat politike duke përjashtuar nga e drejta e zgjedhjes disa kategori, por në asnjë rast mësuesit. As neni 45 e as neni 69 nuk ndalojnë e as nuk kufizojnë të drejtën e kandidimit për mjekët, mësuesit, pedagogët dhe specialistë të tjerë”.

Sula shtoi se PD denoncon presionin dhe shantazhin institucional që po iu bëhet mësuesve, si një akt flagrant e në të shkelje të të drejtave të individit e njëherësh si kërcënim i drejtpërdrejtë për mësuesit për të hequr dorë nga angazhimi qytetar dhe intelektual në dobi të komunitetit si kandidatë për këshilla bashkiakë.

“Presioni që i është përcjellë titullarëve të institucioneve me shkrim dhe verbalisht për të pezulluar nga puna mësuesit është plotësisht i jashtëligjshëm, madje bie ndesh me çdo nen të Kushtetutës e Kodit Zgjedhor që citojnë shantazhistët shtetarë si dhe me të gjitha aktet nënligjore. Partia Demokratike dënon të gjitha format e presioneve dhe intimidimeve që shprehen ndaj çdo komuniteti profesionistësh e ndaj çdo qytetari në fushatë zgjedhore.

Partia Demokratike i siguron mësuesit se veprimtaria e tyre si kandidatë të këshillave bashkiakë ne Shkodër e në çdo rajon të vendit është në përputhje të plotë me Kushtetutën tonë dhe gjithë aktet ligjore në fuqi”, tha Sula.

Të fundit