Flash News

Ditari i Opozitës

PD depoziton kërkesë në Kuvend: Të ngrihet Komision Hetimor për fondet e IPARD-it në bujqësi

PD depoziton kërkesë në Kuvend: Të ngrihet Komision Hetimor

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për ngritjen e një Komisioni Hetimor mbi fondet e programit IPARD në bujqësi. Shkresa është firmosur nga 45 deputetë të opozitës.

Opozita shprehet se nga investigimet e kryera ka rezultuar se funksionarë publik, familjarë dhe lidhje shoqërore të tyre apo edhe eksponentë të krimit të organizuar kanë përfituar qindra mijëra euro nga fondet e programit IPARD II, duke përforcuar kështu gjetjet dhe konkluzionet e zyrtarëve evropianë.

Gjithashtu theksohet se nga hetimet e zyrtarëve evropianë të OLAF rezultuan shkelje shumë serioze gjatë fazës së dhënies së granteve, si edhe gjatë zbatimit të projekteve.

Sipas opozitës, Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij:

(i) Kontrollin e zbatimit të Marrëveshjes Kuadër IPA II dhe Marrëveshjes Sektoriale IPARD II ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian;

(ii) Verifikimin e procesit të përzgjedhjes, miratimit dhe financimit të aplikimeve fituese të fondeve të programit IPARD II;

(iii) Analizimin e respektimit të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale nga përfituesit e fondeve IPARD II në fazën e zbatimit të projekteve;

(iv) Identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e fondeve të programit IPARD II, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale;

(v) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, llogaridhënies dhe transparencës në administrimin e ndihmës financiare të Bashkimit Evropian dhe fondeve publike, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe mbikëqyrjes parlamentare;

(vi) Të angazhohet për të propozuar për miratim të gjitha masat e nevojshme ligjore që të shmangen në të ardhmen situatat e evidentuar në raportin e hetimit të Zyrës së Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF), dhe që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale, duke propozuar masat konkrete që janë të nevojshme që institucionet përgjegjëse të Bashkimit Europian të rekomandojnë zhbllokimin e fondeve për Shqipërinë për programin IPARD III.

Komisioni propozohet të ketë në përbërje 11 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit