Flash News

Ditari i Opozitës

PD mbështet qëndrimin e KE për çështjen 'Balluku': Imuniteti politik nuk është standard evropian

PD mbështet qëndrimin e KE për çështjen

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së prerë të Komisionit Evropian për çështjen Balluku, duke kërkuar që “Kuvendi të adresojë pa vonesë kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut”.

Në një deklaratë të bërë nga nënkryetari Luçiano Boçi, PD vlerëson dhe falënderon Komisionin Evropian “për qëndrimin e qartë dhe parimor në mbrojtje të sundimit të ligjit dhe pavarësisë së drejtësisë në Shqipëri.”

Selia blu shprehet se ky “qëndrim vjen në një moment kritik, kur Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur përballjen politike me institucionet e reja të drejtësisë për të mbrojtur veten dhe kur mazhoranca po zvarrit qëllimisht kërkesën për heqjen e imunitetit në rastin e Belinda Ballukut.”

Partia Demokratike thekson se veprimet e kryeministrit nuk janë thjesht devijime politike, por goditje direkte ndaj reformës në drejtësi.

“Rikujtimi nga Komisioni Europian se lufta kundër korrupsionit dhe respektimi i procedurave kushtetuese, janë kushte thelbësore për integrimin evropian, është një sinjal i fortë dhe i domosdoshëm dhe i ardhur në kohën e duhur.

Lufta e shpallur e Ramës me drejtësinë e pavarur minon besimin e qytetarëve dhe rrezikon seriozisht procesin e anëtarësimit në BE, paralajmëron KE. Shqipëria nuk mund të ecë drejt Europës duke mbajtur peng drejtësinë për interesa politike”, deklaron PD.

Për këtë arsye, qëndrimi i Komisionit Evropian është një mbështetje e çmuar për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i qartë se imuniteti politik nuk është standard evropian.

Partia Demokratike mbështet pa rezerva këtë qëndrim dhe mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, respektimin e shtetit ligjor dhe hapave të anëtarësimit të vendit në BE”, deklaron PD.

Të fundit