Flash News

Ditari i Opozitës

Përkujtohet kryengritja e Postribës/ Berisha nga Shkodra: Shqipëria në rrezik, Rama një cub pa moral që vjedh

Përkujtohet kryengritja e Postribës/ Berisha nga Shkodra:

Në orën 10.00 kryetari i PD Sali Berisha do të jetë në ceremoninë përkujtimore të kryengritjes kundër regjimit komunist në Postribë. Aktiviteti do të jetë me regji.

Ditën e sotme përkujtohet kryengritja e Postribës, lëvizja e parë anti-komuniste që ndodhi më 9 shtator 1946. Ajo zgjati shumë pak dhe u shtyp shpejt nga forcat komuniste.

Kryedemokrati Sali Berisha mori pjesë në aktivitetin përkujtimor në Shkodër. Ai solli vëmendje ngjarjen, duke vënë theksin te vuajtjet me të cilat u përballën qytetarët.

“Ky pushtim për shqiptarët ishte i dyfishtë në ato vite. Ishte pushtim i vendosjes së diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Dhe unë u rikujtoj ju këtu, u rikujtoj shqiptarëve se vrasësi seria që komandoi hordhitë partizane në Shkodër dhe veri, Mehmet Shehu, do i shkruante Enver Hoxhës: se në kufirin ushtarak, Shkodrën e vendosëm nën pushtim. Ai thotë një të vërtetë të pamohueshme. Të tillë, pushtim e konsideruan qytetarët e Shkodrës, banorët e Postribës dhe veriut në tërësi.

Krahas këtij pushtimi, Shkodra dhe Shqipëria ishin në një pushtim të dytë. At Zef Pëllumbi përshkruan 28 nëntorin me ndërrimin e simboleve. U hoq flamuri kombëtar dhe u vendos flamuri jugosllav. E vërteta është se në Shkodër u vendosën zyrat e shërbimit famëkeq jugosllav, që grabiste dhe zhdukte nacionalistët e Shkodrës dhe të veriut, i bindur se ata nuk do të pranonin pushtimin serb, barbar të Shqipërisë.

Kanë kaluar 76 vite, sot ne nderojmë veprën heroike të burrave dhe grave të Postribës 76 vite më parë, shumë prej të cilëve, u ekzekutuan me gjyqe dhe pa gjyqe për fajin e vetëm se po luftonin për liri. Fshatra të tjera u dogjën, mbi 1 mijë banorë u internuan në kampet më të egra të regjimit”, deklaroi Berisha.

Ky i fundit deklaroi se Shqipëria është sërrish në rrezik, duke e krahësuar qeverisjen aktuale me atë diktatoriale. Kryedemokrati akuzoi Edi Ramën për vjedhje miliona euroshe, ndërsa e quajti një “cub që nuk ka moral”.  Berisha u zotua se do të mbrojë idealet e lirisë dhe se do ta shpëtojë vendin nga qeverisja aktuale.

“Sot, pas 76 vitesh, Shqipëria është në një rrezik të madh sepse ajo përjeton vendosjen e monizmit, e pushtetit të një partie, të përqendruar në duart e një cubi që nuk ka moral, që nuk ka nder, që nuk ka asgjë, që vjedhe e plaçkit qytetarët shqiptarë çdo ditë. Ky është Edi Rama.

Përdor çdo fatkeqësi ndaj tyre për t’i shtypur, për t’i shfrytëzuar, për t’i vjedhur më shumë. Çfarë bëri me kovidin? Nxori tanket, nga ana tjetër vidhte çdo ditë, ndaj edhe vdekshmëria e shqiptarëve shkoi në qiell.

Çfarë po bën me këtë krizë? Të njëjtën gjë. Me rritjen e çmimeve fiton qindra milionë, qytetarët i mashtron me thërrime. Sot Postriba është sërish në rrezik, Shqipëria është në rrezik. Prandaj edhe ne duke u përkulur me nderimin më të madh për heroizmin e burrave të Postribës, le të zotohemi përpara këtij monumenti, se do mbrojmë idealet e tyre të lirisë dhe Shqipërinë do e shpëtojmë nga ky regjim armiqësor, hajdut, që po shkatërron çdo ditë qenien shqiptare”, shtoi Berisha.

Të fundit