Flash News

Ditari i Opozitës

PL prezanton listën e kandidatëve për këshillin bashkiak në Tiranë, Xhixho: Listën tonë e kryeson një grua

PL prezanton listën e kandidatëve për këshillin bashkiak

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka prezantuar sot listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Në krye të kësaj liste qëndron Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në këtë forcë, Silva Caka, e cila pasohet nga Endrit Braimllari ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Floida Kërpaçi ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetare e LRI-së, Tedi Blushi gazetar dhe qytetar i angazhuar, Ana Azaizaj Sekretare e Përgjithshme e LRI-së.

Xhixho deklaroi kjo është një listë fituese që do t’i paraprijë fitores në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë teksa shprehet se parlamenti i qytetit pas zgjedhjeve të 14 Majit do të jetë më në fund në duart e qytetarëve të Tiranës, pasi koha e llogaridhënies po vjen.

“Listën tonë e kryeson një grua, një zonjë, një juriste, ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë, mikeshja jonë Silva Caka, që pasohet nga Endrit Braimllari ish-deputet I Kuvendit të Shqipërisë, Floida Kërpaçi ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetare e LRI-së, Tedi Blushi gazetar dhe qytetar I angazhuar, Ana Azaizaj Sekretare e Përgjithshme e LRI-së”, tha Xhixho.

“Tirana u takon qytetarëve të Tiranës. Tirana nuk u takon uzurpatorëve. Tirana nuk u takon hajdutëve. Tirana nuk u takon korrupsionit, mafias dhe krimit të organizuar. Kështu që për këto arsye, japim garancinë e plotë se çdo anëtar i Këshillit Bashkiak nga Partia e Lirisë, çdo kandidat, të 62 kandidatët e kësaj liste, do të jenë zëri dhe njëkohësisht do të jenë dera e hapur për çdo qytetar që dëshiron ta ngrejë vetë zërin në Parlamentin e Tiranës”, ka thënë kandidatja për Këshillin Bashkiak, Silva Caka teksa falënderoi të gjithë anëtarët e Kryesisë së Partisë së Lirisë, por edhe anëtarët më të thjeshtë të kësaj partie për besimin dhe për gjithë këtë përgjegjësi shumë të madhe që i kanë caktuar.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit