Flash News

Ditari i Opozitës

Revolta e Çupit me Alibeajn: Jam kundër daljes me dy kandidatë më 14 maj, u distancova nga grupi

Revolta e Çupit me Alibeajn: Jam kundër daljes me dy kandidatë

Deputetja demokrate Dhurata Çupi ka pranuar se nuk angazhohet më me grupin e Enkelejd Alibeajt, qoftë edhe në mbledhjet e grupit.

Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, Çupi ka thënë se mospjesëmarrja e saj në mbledhjet e grupit të Alibeajt, është një formë revolte pas vendimit për të dalë si Parti Demokratike me dy kandidatë në zgjedhjet e e 14 majit.

“Jam përpjekur të jem e ekuilibruar për të gjetur forma dhe mundësi për të bashkuar grupin parlamentar dhe opozitën, si e vetmja mënyrë për të luftuar këtë qeverisje. Jam distancuar nga mbledhjet e të dy grupeve parlamentare, posaçërisht nga grupi ku angazhohesha, në momentin kur u vendos që do të jemi pjesë e zgjedhjeve me 2 kandidatë nga opozita. Këtë vendim unë s’e përkrah dhe e kam gjykuar mospjesëmarrjen në grup si një lloj revolte timen”, tha Çupi.

Deputetja tha se përçarja nuk e ndihmon opozitën. Përkundrazi, sipas saj do të ketë kosto në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe do të përbuzen nga demokratët.

“Jemi bërë një grup që qeshemi në seancat parlamentare dhe demokratët nuk e duan këtë. Opozita bashkohet duke u shmangur nga sedra personale, nga interesat personale, nga përllogaritjet individuale, por duke patur interesin e demokratëve në radhë të parë. Opozita duhet të jetë e bashkuar, duhet të jetë me 1 kandidat në zgjedhjet vendore. Të gjithë individët që ndikojnë në përçarjen e opozitës apo grupimi që do të tentojë përçarjen, do të kenë përbuzjen e demokratëve. Nuk bëhet opozitë ndaj kësaj qeverisje vetëm duke mbajtur një fjalim në parlament dhe secili sipas qasjes personale. Nuk kemi rritur numrat dhe në zgjedhje rëndësi kanë numrat. Nuk e mendoj që PD sot është më e bashkuar dhe kjo patjetër që do të ketë kosto tek zgjedhjet e 14 majit”, u shpreh deputetja demokrate.

Të fundit