Flash News

Ditari i Opozitës

Shtyrja e ligjit për “strategjikët”/ Tabaku: Dhuratë për të privilegjuarit, pasuron një grusht njerëzish

Shtyrja e ligjit për “strategjikët”/ Tabaku: Dhuratë

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar pas lajmit se PS kërkon zgjatjen e afatit të ligjit për investimet strategjike, i cili është konsideruar si njlë ligj abuziv që favorizon oligarkët pranë Qeverisë

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku e konsideron këtë ligj si për elitën dhe barrë për shumicën, teksa sipas saj, abuzimet po shkatërrojnë të ardhmen e shqiptarëve.

Deputetja demokrate shton më tej se ligji i Investimeve Strategjike, që duhej të ishte i përkohshëm, është kthyer në një mjet të përhershëm për abuzim, pasi kjo është hera e 8-të që shtyhet.

Tabaku shprehet se prej 9 vitesh është shkatërruar bregdeti me skema klienteliste, ku pasuritë publike janë dhënë për 1 euro tek të ashtuquajturit “investitorë strategjikë”. Sipas saj, Qeveria tashmë po planifikon që investitorët e tyre të privilegjuar të marrin në përdorim brigjet e deteve, lumenjve dhe liqeneve për interesat e tyre personale.

Sipas Tabakut, ky është ligji i dhuratave për të privilegjuarit dhe që përbuz 95% të shqiptarëve.

 

Reagimi i plotë:

Një ligj për elitën, një barrë për shumicën: Abuzimet që shkatërrojnë të ardhmen e shqiptarëve

Ndërsa shqiptarët luftojnë çdo ditë për të përballuar çmimet e rritura, pagat qesharake dhe pensionet që nuk mjaftojnë as për mbijetesë, mazhoranca socialiste është fokusuar në një dhe vetëm një qëllim: pasurimin e pakicës së privilegjuar prej 5% dhe klientëve të tyre të lidhur me pushtetin

Pas 9 vitesh shkatërrimi të bregdetit me skema klienteliste, ku pasuritë publike janë dhënë për 1 euro tek të ashtuquajturit “investitorë strategjikë,” tani shtyjnë edhe më tej afatin e këtij ligji. Dhe më keq akoma: po planifikojnë që investitorët e tyre të privilegjuar të marrin në përdorim brigjet e deteve, lumenjve dhe liqeneve për interesat e tyre personale, duke anashkaluar plotësisht interesat e popullit shqiptar.

Ligji i Investimeve Strategjike, që duhej të ishte i përkohshëm, është kthyer në një mjet të përhershëm për abuzim. Kjo është hera e tetë që shtyhet afati i këtij ligji, ndërsa ligjet që do të ndihmonin 95% të shqiptarëve mbeten të bllokuara, të harruara në sirtar ose të refuzuara pa mëshirë.

Ironikja është se Këshilli i Investimeve Strategjike jo vetëm që ka marrë më shumë pushtet, por ka gjithnjë e më pak llogaridhënie. Asnjë investitor serioz i huaj nuk ka ardhur për shkak të këtij ligji. Asnjë projekt strategjik për zhvillim nuk është ndërtuar. I gjithë ligji është një mekanizëm për të pasuruar një grusht njerëzish që kontrollojnë çmimet e ushqimeve, tregjet dhe pasuritë kombëtare. Ky është ligji i klientelës, jo i shqiptarëve.

Prej 9 vitesh, Shqipëria është e bllokuar në hartimin e një kuadri serioz për investimet, një mekanizëm që do të garantonte konkurrencë të ndershme dhe do të tërhiqte investitorë të vërtetë. Dhe ndërkohë që vendet e rajonit tërheqin më shumë investime të huaja, ne mbetemi peng i një sistemi që shpërblen klientët dhe ndëshkon të ndershmit. Kjo është Shqipëria e padrejtësisë, ku as investitorët shqiptarë, as ata të huaj nuk kanë akses në tenderët publikë, në garat e hapura apo në koncesionet e ndershme. Gjithçka është rezervuar për miqtë dhe klientët e mazhorancës.

Ata votojnë me kartonë të komanduar për ligje me porosi, ndërsa shqiptarëve u tregojnë përralla me komisione të posaçme dhe reforma boshe.

Kjo nuk mund të vazhdojë më.

Ky është ligji i dhuratave për të privilegjuarit! Ky është ligji që përbuz 95% të shqiptarëve! Dhe shqiptarët nuk do ta pranojnë më këtë pabarazi dhe këtë sistem të padrejtë që po shkatërron të ardhmen e vendit

Të fundit