Flash News

Ditari i Opozitës

Sot protesta e thirrur nga Berisha, çfarë pritet të ndodhë

Sot protesta e thirrur nga Berisha, çfarë pritet të ndodhë

Ish-Kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij zhvillojnë sot në orën 12:00 protestë kundër kryedmokratit Lulzim Basha.

Para selisë së PD, pritet të grumbullohen simpatizantët e Berishës për të marrë kontrollin e godinës, sikurse ka premtuar ish-kryeministri.

Mësohet se një orë para protestës, Basha do të mbledhë në selinë e PD Kolegjin e Kryetarëve, ku do të diskutohet mbi zbatimin e vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit. “Të nderuar Kryetarë,

“Të shtunën, datë 8 Janar, ora 11:00 do të zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD për diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor “Për miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike”. Në mbledhje merr pjese edhe Sekretariati i Partisë. Programi i diskutuar dhe miratuar nga Kolegji i Kryetarëve, do ti nënshtrohet më pas miratimit nga Kryesia e Partisë, e cila do të mblidhet po atë ditë", thuhet në mesazhin e dërguar nga sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi.

Ndërkohë, pas takimit me Kolegjin e Kryetarëve, Basha do të mbledhë edhe Kryesinë për të miratuar programin e diskutuar nga Kolegji.

Një ditë përpara protestës palët u përfshinë sërish në akuza të forta ndaj njëra tjetrës. Të dyja palët akuzojnë njëra tjetrën se kanë pas tyre njerëz me rekorde kriminale.

Një ditë më parë, uke folur për kryetarin demokrat Lulzim Basha, të cilin nuk e njeh më për të tillë, Berisha e akuzoi atë për “blindimin dhe shndërrimin në bunker burg të selisë së PD, bllokimin e hyrjeve të selisë për deputetët, mbushjen e kësaj selie me kriminelë delinkuentë, që kanë mbi shpatullat e tyre vrasje, trafiqe kriminale, akte seriale gjer të fanatizma dhe ektremizma të dënueshme”.

Berisha përsëriti disa herë se protesta do të jetë paqësore, duke nënvizuar megjithatë vendosmërinë e anëtarësisë, siç u shpreh ai, për të realizuar objektivin që i ka vënë vetes:

“Nuk ka asnjë diskutim që dyert do hapen në mënyrën më të vendosur, që selia do t’u rikthehet demokratëve. Nuk ka blind apo beton, që mund të pengojë demokratët shqiptarë si njerëz të lirë, ta rikthejnë këtë ndertesë nga burg në ndërtesë të lirisë".

 Menjëherë pas tij ishte sekretari Gazmend Bardhi që reagoi po me tone dhe akuza të forta. Ai mohoi që dyert e selisë së partisë demokratike të jenë blinduar, përkundër fotove që kanë qarkulluar në media, ku dallohen porta të mëdha hekuri në korridoret e godinës. 

Edhe më i ashpër ishte më pas kryetari Basha në një dalje publike drejtuar demokratëve, duke u kujtuar atyre se “Berisha e nisi si betejë për statutin, por tregoi se ishte një mashtrim si gjithcka tjetër që prej 9 shtatorit. Ai shkeli statutin, manipuloi firmëtarët për kuvendin, manipuloi me mitingun, manipuloi me pseudo referendumin. Sepse ai do kaos dhe dhunë, ai nuk njeh as statut as institucione, sepse ai do PD-në vetëm si mburojë për hallin e tij të madh. Për hallin e tij nuk mendohet dy herë të përplasë demokratët me njeri tjetrin. Ta harrojë!”

Kryetari i PD-së, i bëri thirrje demokratëve “t’u rrinë larg skenarëve të dhunës që duan destabilizim dhe shkatërrimin e PD-së. Sepse edhe tani Sali Berisha po ju gënjen, manipulon dhe mashtron. Ai kërkon ti përdorë demokratët si fasadë, sepse nesër ai ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë. Unë e di fare mirë se demokratët janë kundër dhunës por kjo është mënyra e tij e vetme. Dhuna është streha e tij e fundit. PD ka marrë masa të përballet dhe t’u tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj”.

 

Të fundit