Deputetja Jorida Tabaku shprehu kritika në Kuvend për propozimet e reja nga maxhoranca për ndryshimet në rregullore, duke theksuar se kufizohet edhe më shumë hapësira e opozitës. Teksa mori fjalën në Kuvend, ajo theksoi rregullat e bashkëjetesës në Kuvend janë shkelur me të dyja këmbët nga PS.
“Ndryshimet e rregullores, me një vendim të GJK që i dha të drejtë opozitës, janë rasti më flagrant sesi rregullat e bashkëjetesës në këtë parlament janë shkelur me dy këmbë. Rregullorja duhet të ketë ndryshimet konsensuale, ndryshimet e reja të propozuara të PS krijojnë një super komision sikur po ndahen vilajetet. U diskutua që nëse GJK do e zbardhë vendimin, le të kryejmë një seancë nqë fund të muajit prill, përndryshe do të vazhdojmë normalisht me kalendarin e propozuar. Ky diskutim në Konferencën e Kryetarëve është e nevojshme që të sqarohen që për ne ndryshimet e rregullores të njëanshme, që nuk janë diskutuar me proces të gjerë konsultimi, janë në shkelje të bashkëjetesës në parlament. Me ndryshimet e rregullores, edhe të rejat që PS ka propozuar, edhe hapësira që kanë komisionet që drejtohen nga opozita do të ngushtohet. “, theksoi ajo.
Për raportin e DASH, ajo theksoi se po del raporti tjetër, ndërkohë që parlamenti ende s’e ka diskutuar për shkak të maxhorancës.
“Po del raporti tjetër i DASH dhe ne nuk kemi kryer diskutimin për raportin e parë. Për këtë arsye ne insistuam që parlamenti të ketë në rend të ditës çështje që lidhen me krimin, korrupsionin dhe klimën e biznesit. Objektivat e ndërmjetme janë sekrete, ky parlament ka një vit që nuk mori një raport për procesin e integrimit, dhe po mbahet burokratik, i fshehtë, pa gjithëpërfshirje dhe është e nevojshme që parlamenti t’i ketë këto cështje në rendin e ditës”.
Një koment ironik bëri edhe për qeverinë teksa tha se ka dalë rrugëve për të folur për integrimin, ndërkohë që e vetmja pengesë për integrimin është vetë qeveria e Edi Ramës.
“Qeveria ka dalë rrrugëve duke folur për integrimin, ndërkohë që parlamenti duhet ta kishte pasur në rend dite me kohë. Fatkeqësisht në rrugën e gjatë të 12 viteve, ndodhemi në udhëkryqin që po kryhet në letër, pa standarte dhe informimet që duhet të kenë jo vetëm parlamenti po edhe qytetarët.”
