Flash News

Ditari i Opozitës

Të përjashtuarit e Bashës, kush do të zëvendësohet në detyrat si kryetarë dhe zv.kryetarë komisionesh

Të përjashtuarit e Bashës, kush do të zëvendësohet
Foto ilustruese

Në një mbledhje që nisi të hënën në darkë dhe mbaroi në orët e para të mëngjesit të së martës, Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që të përjashtojë ish-kryetarin Sali Berisha dhe 8 mbështetës të tij, si dhe të pezullojë 19 të tjerë, kryesisht deputetë dhe zyrtarë partiakë.

Kryesia vendosi përjashtimin nga PD dhe nga të gjitha funksionet drejtuese apo anëtarësinë në grupin parlamentar për 8 anëtarë të saj; Sali Berisha, Flamur Noka, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Bujar Nishani, Arben Ristani, Rigels Muçollari, Keltis Kruja dhe Klevis Balliu.

Për 19 demokratë të tjerë, kryesia ka vendosur pezullimin e tyre nga anëtarësia në PD dhe funksionet që mbajnë “deri në distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike, dhe veprimeve që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të Partisë Demokratike”.

Ata janë; Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Blendi Himçi, Çlirim Gjata, Edi Paloka, Edit Harxhi, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Genc Deromemaj, Genc Pollo, Gent Strazimiri, Ivi Kaso, Ledina Mandija, Lorenc Luka, Luan Baçi, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.

Dy prej deputetëve të sipërpërmendur, pas përjashtmit dhe pezullimit nga partia, kryedemokrati Basha do të duhet t’i zëvendësojë edhe në komisionet parlamentare.

Bëhet fjalë për Albana Vokshin, e cila mban detyrën edhe si kryetare Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, si dhe Oerd Bylykbashi, zëvendëskryetar i Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Po ashtu, një tjetër deputete që ka mbështetur publikisht Berishën ka qenë edhe Sorina Koti, por u rendit te “të falurit”. Aktualisht, ajo është zëvendëskryetare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat dhe mbetet për t’u parë nëse do të merret masë ndaj saj.

 

Të fundit