Flash News

Ditari i Opozitës

Xhaferraj nga protesta e opozitës: Shqipëria nuk është e varfër, por e vjedhur; rinia nuk do të largohet

Xhaferraj nga protesta e opozitës: Shqipëria nuk është e

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferraj akuzoi qeverinë për kapjen e shtetit dhe shpopullimin e vendit.

Teksa mbajti fjalën e tij nga protesta e opozitës para kryeministrisë, ai theksoi se rinia shqiptare nuk do të dorëzohet përballë presionit për emigrim apo nënshtrim, duke bërë thirrje për një “kryengritje morale dhe qytetare” për rikthimin e demokracisë dhe shpresës.

Xhaferraj: Mjafton një shkëndi e vetme e së vërtetës. Mjafton pak drejtësi e pakapur që i gjithë ky pushtet prej fasade të shkrumbohet dhe të bjerë në tokë. Të nderuar miq, ata e kanë kthyer Shqipërinë në një çiflig personal. Paratë e taksave tuaja, djersa e prindërve tanë, nuk shkojnë për shkolla më të mira, nuk shkojnë për spitale ku gjen shërim, as për rrugë dhe as për siguri publike. Ato shkojnë drejt dhe në xhepat e një grushti oligarkësh dhe pushtetarësh përmes tenderave sekret dhe koncesioneve fantazmë. E çfarë po i ofrojnë rinisë sonë sot? Çfarë po ofrojnë bashkëmoshatarëve të mi? Vetëm dy rrugë, nënshtrimin ose emigrimin. Shpopullimi i Shqipërisë nuk është një aksident i historisë, nuk është as edhe një fenomen global siç duan t'jua shesin. Është një projekt i mirëmenduar i këtij sekti në pushtet, për të zbrazur vendin nga të rinjtë rebelë, nga profesionistët e ndershëm, nga mendjet e lira që nuk pranojnë të ulin kokën dhe të kthehen në patronazhistë të bindur. Por unë si kryetar i forumit rinor dhe bashkë me gjithë ju këtu, sot ju them, ne nuk do të ikim.

Ky është vendi ynë, kjo është toka jonë. Shqipëria nuk është e varfër, Shqipëria është e vjedhur. Ne nuk mund t'ia lëmë atdheun tonë atyre që e trajtojnë si plaçkë tregu. Rinia e këtij vendi nuk ka lindur për t'u bërë forcë pune e lirë nëpër rrugët e Evropës. Ne kemi inteligjencën, forcën, arsimimin dhe kurajën për ta bërë Shqipërinë një vend të begatë, të denjë për familjet tona. Por për ta bërë këtë, duhet të shëmbim murin e pandëshkueshmërisë. Duhet të ngremë një kryengritje morale dhe qytetare, një rebelim kundër të keqes që na ka zënë frymën.

Ne jemi këtu për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jemi këtu për t'i thënë atyre që fshihen pas dyerve të atyre godinave të pushtetit, që ky pushtet i takon sovranit, i takon popullit dhe jo bandave. Mos kini frikë nga makineria e tyre e propagandës. Ata duken të fortë vetëm kur ne jemi të përçarë, vetëm kur ne heshtim. Por shikoni këtë shesh sot, shikoni forcën e bashkimit. Ky lumë njerëzish është tmerri i tyre më i madh. Le të jetë ky 7 prill, dita kur ne i themi mjaft fasadës së kalbur. Dita kur i themi mjaft vjedhjes së shpresës. Dita kur dëshmojmë se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare janë e vetmja alternativë e vërtetë për ta rikthyer këtë vend në shinat e Evropës. Ngrihuni, bashkohuni, mos u dorëzoni, sepse nesërmja u përket atyre që guxojnë, atyre që nuk heshtin, atyre që e duan Shqipërinë.

Të fundit