Flash News

Ditari i Opozitës

Zgjedhjet e Bashës, Boçi: E habitshme se si njeriu mund të pranojë të poshtërohet

Zgjedhjet e Bashës, Boçi: E habitshme se si njeriu mund të

“Komedia dramatike e 29 korrikut”, kështu e ka cilësuar demokrati Luçiano Boçi situatën në Partinë Demokratike.

I ndalur tek zgjedhja e kryetarit të ri të PD, Boçi shkruan se situata po shfaqet si një nga komeditë dramatike, ndërsa thekson se është i tmerrshëm fakti se si mund të merren dhe përditësohen vullnetet e lira të mijëra qytetarëve.

Statusi:

KOMEDIA DRAMATIKE E 29 KORRIKUT

Tema e stisur ngjan shumë serioze: zgjedhje e kryetarit të PD-së. Ndërsa gjithçka tjetër është tërësisht komike: shtrati logjik e politik, arsyeja, qëllimi, rruga e ndjekur, procedura e realizuar, produkti final etj, etj. Njësoj si tek komeditë dramatike të famshme. Komedia dramatike është një zhanër i filmave dhe serialeve e cila kombinon elemente të komedisë me tema serioze dhe emocionale. Dhe e marrë së bashku kjo e sotmja transmeton atë humorin e hidhur që ka kohë që na është ngjitur dhe që ne e përdorim si mënyrën tonë refuzuese, me shpresën se diku shkëndijat e arsyes do fillojnë të duken.

Zbrazëtia që prodhon ky humor ka peshë.

Një peshë mali nga i cili çdo demokrat do të çlirohet një orë e më parë, por mali nuk lëviz as bëzan. Autorët e zbrazëtisë vetë ecin ashtu qorrazi në zbrazëti, me një krenari boshe drejt një absurditeti pa fund me një qëllim krejtësisht banal. Rituali ngjason me ecjen e ngrefosur të një kostumi laraman mbuluar me sloganet e qëndisura mbi, pa njeriun brenda.

Qesharake dhe e habitshme se si mundet që njeriu mund të pranojë të poshtërohet me të qeshura publikisht që vetëm e vetëm të ketë nesër një titull, një epitet politik, një ofiq, një spaletë a ku di unë çfarë i fantazon mendja. E tmerrshme se si mund të merren e përvetësohen vullnetet e lira të mijëra qytetarëve të cilët që nga 90 investuan punë, djersë, mund dhe gjak për të ndërtuar një familje unitare e parimore, te mbështetur në vlera e virtyte.

Humori nuk përmbahet sot, por dhe drama është në proporcion të drejtë me humorin.

Ja që dhe humori vret.

Dhe vrasja është kaq e madhe sa përçan, ndan, tret, përçart njerëz, idealistë, kontributorë, sakrifikues e demokratë. E trishtë të shohësh të shpaloset para teje kaq shumë varfëri përgjegjësie e ndjesie historike e politike ndaj atyre që janë vërtetë baza e shpirti i PD, ndaj demokratëve të thjeshtë që duke parë shfaqen e sotme shemben në tokë nga dhimbjet që prodhon e qeshura e imponuar nga shformimi i logjikës dhe i normales.

Si në atë lojën e dikurshme të fëmijërisë gjatë të cilës vendosnim pasqyrën shformuese përballë dhe qeshnim me deformimin e tipareve tona.

Dramatike të prekësh kaq realisht, sikur të ishte send, fallsitetin e shndërruar në kauzë e të ndjesh neverinë që prodhon shqisa e mendja. Humoristike të shohësh si në filma vizatimorë, pompozitetin e agravuar të personazheve që e ndërtojnë ekzistencën e tyre dhe të bëjnë të qeshësh, mbi teknikën e thjeshtë të kontrastit.  Shumë i shëmtuar për të qeshur por dhe shumë qesharak në shëmtinë e tij ky 29 Korrik!

Të fundit