Flash News

Ditari i Opozitës

Zgjedhjet e Himarës, Gjikuria: Gati të bashkëpunoj me Ramën nëse zgjidhem kryebashkiak

Zgjedhjet e Himarës, Gjikuria: Gati të bashkëpunoj me Ramën

Kandidati i opozitës për Bashkinë Himarë, Petro Gjikuria ka deklaruar se u vetëofrua për të ardhur nga Amerika e për të garuar.

Në MCN, Gjikuria tha se në ditën e parë të tij si kryebashkiak do të kërkojë takim me kryeministrin Rama për të bashkëpunuar.

Nga ana tjetër ai garantoi se nuk ka lidhje me akuzat që po i bëhen për helenizimin e Himarës, si dhe shtoi se nuk e ka mbështetjen e Greqisë.

"Duke parë situatën në Himarë dhe 12 vitet e fundit që asgjë nuk bëhet për himariotët dhe duke qenë i një nga themeluesit e shoqatës së himariotëve në Amerikë, mora vendimin që të kontribuoj dhe të ndihmoj në Himarë.

Mora vendimin duke u bazuar se kisha gjithë opozitën e bashkuar, Partinë Demokratike dhe shumë parti të koalicionit dhe me propozimin e PBDNJ, vendosa të kthehem në Himarë dhe të jap kontributin tim.

Fredi Belerin e kam mik, e njoh personalisht, kam përkrahje të plotë të tij, pavarësisht momentit se ku ndodhet, se po të ishte jashtë do e kisha në krahë dhe do bënim bashkë fushatën.

Fatkeqësisht nuk është këtu. Me Greqinë nuk është se kam ndonjë raport, unë jam një biznesmen që aktivitetin tim e kam në Amerikë, nuk shoh ndonjë shkak apo arsye që të kem raport me Greqinë si shtet.

Kam miq dhe kontakte private sigurisht. Në dijeni të shtetit grek nuk kanë dhënë ndonjë ndihmë apo suport apo çfarëdolloj mbështetje për mua siç ndihmuan zotin Beleri.

Himara ka mijëra banorë që kanë dyshtetësi, përfshirë dhe zotin Beleri. Ndërhyrja e një shteti europian për mbrojtjen e të drejtave nuk e shoh ndonjë problem të madh.

Nëse ditën e nesërme do jem kryetar i bashkisë Himarë, gjëja e parë që do bëj është do kërkoj një takim me zotin Rama, është qeveri dhe me qeverinë duhet të bashkëpunosh për të zgjidhur problemet.

Unë atë që kam në dorën time, për t’iu dhënë leje bashkëfshatarëve të mi për të ndërtuar një shtëpi 250 metra katrorë, do e japë unë se është e imja. Nuk mund të them jo.

Pa diskutim nuk kemi të ndajmë ndonjë gjë, ai është kryeministri i një vendi, unë do jem kryetari i bashkisë, bashkëpunimi do jetë reciprok do fillojmë të punojmë për të mirën e himariotëve.

Zotin Rama, kryeministrin e Shqipërisë, e njoh dhe personalisht dhe është mik i shoqatës sonë", tha Gjikuria. 

Të fundit