Flash News

Ditari i Opozitës

Zhupa: E paligjshme që zyra elektorale e PS të vendoset pranë KZAZ-së në Delvinë

Zhupa: E paligjshme që zyra elektorale e PS të vendoset pranë

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, deklaroi se vendosja e zyrës elektorale të një kandidati të PS në të njëjtin ambient me KZAZ-në është në kundërshtim të hapur me ligjin.

Në një lidhje direkte për Syri Tv, Zhupa tha se vendimi i KQZ-së e vërtetoi këtë shkelje, duke e cilësuar të papranueshme që një zyrë elektorale të vendoset në hapësirat e një institucioni zgjedhor.

“Unë e kuptoj që qytetet e vogla kanë vështirësi për të gjetur zyra larg qendrës për shkak të qarkullimit kryesor, por është e papranueshme si nga ligji, ashtu edhe nga normat funksionale të një demokracie, që të vendosësh zyrën elektorale apo të shpërndash materialet e votimit në kundërshtim me ligjin – në derën, në fund të shkallëve të KZAZ-së.

Këtë e ka bërë një kandidat, i cili mendon se PD, apo aq më tepër doktori Berisha, ka një interes për të. Ai është një kandidat i listës së hapur, i cili nuk ka asnjë shans të bëhet deputet. Megjithatë, po bën këtë “betejë” me video-selfie dhe sfida personale. Dhe në fund, vendimi i KQZ-së – i qartë dhe i prerë – ishte se do dilnim “bllof” me këtë denoncim.

Në fakt, doli që kishim të drejtë. Vendimi i KQZ-së ishte i qartë: ajo zyrë nuk mund të qëndrojë aty si zyrë elektorale. Mund të jetë aty si çdo zyrë tjetër, por jo me fletën e votimit, fotot e kandidatëve, e gjithë përmbajtja që e bën një zyrë elektorale të një kandidati të PS-së.

Unë sot, në fakt, bëra edhe një sfidë. Është një sfidë që ia bëj çdo kandidati: të thotë se si e kanë katandisur Delvinën në këto 12 vite. Me çfarë oferte vijnë sot atje? Si mund t’i kërkosh votën Delvinës, Konispolit apo Sarandës, kur më parë duhet të japësh llogari? Çfarë ke bërë për ta në këto 12 vite? Jo çfarë do bësh në të ardhmen, sikur të mos kesh qenë fare pjesë e qeverisjes për 12 vjet dhe të mos kesh bërë asnjë bilanc.

Delvina, falë një reforme territoriale të dështuar, sot është kthyer thuajse në një fshat. Nuk ka më institucione. Janë hequr institucionet e arsimit, janë larguar shërbimet dhe dokumentet që dikur përdoreshin në bashki. Tashmë i kanë çuar në ZVA-në e Fierit ose në Sarandë”, tha Zhupa.

Të fundit