Flash News

Ditari i Opozitës

Zhupa kundër Ramës për projektin TID në Durrës: Klientelist dhe në dëm të trashëgimisë kulturore

Zhupa kundër Ramës për projektin TID në Durrës:

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, dhe njëherazi deputetja e PD Ina Zhupa, i është kundërpërgjigjur kryeministrit  Rama lidhur me projektin TID në Durrës, duke deklaruar se pretendimet e tij nuk qëndrojnë dhe se projekti nuk i shërben mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe identitetit të qytetit.

Në një reagim publik, Zhupa e cilëson projektin si “klientelist” dhe thekson se ai nuk ka në thelb interesin publik apo kombëtar.

Sipas saj, referimi i Ramës tek ligji për trashëgiminë kulturore si bazë ligjore për ndërhyrjen është i papranueshëm, pasi ligji në fjalë është hartuar dhe sponsorizuar nga vetë AADF në vitin 2016.

REAGIMI:

ASNJË nga pretendimet e Edi Ramës për projektin TID nuk qëndron dhe nuk janë të vërteta. Projekti është klientelist dhe nuk i shërben mbrojtjes së trashëgimisë dhe identitetit të Durrësit.

Së pari, ligji për trashëgiminë kulturore që i referohet Rama se i rrjedh detyrimi për të bërë TID, është i hartuar dhe i sponsorizuar nga vetë AADF, është hartuar në marrëveshje me Kunbaron më 19 Korrikut 2016. Madje vetë AADF ka deklaruar se ka shpenzuar rreth 190 mijë dollarë për përgatitjen e tij. Pra, një ligj i bërë nga vetë subjekti që sot përfiton nga projekti, nuk mund të përdoret si arsye “detyrim ligjor” për të justifikuar domosdoshmërinë e projektit TID. Një ligj i tillë, i kontestueshëm dhe antikushtetues në thelb, nuk përbën arsye të mjaftueshme.

Së dyti, kur Rama shprehet se “shteti po ndërhyn kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore”, faktet në terren tregojnë të kundërtën. Në Durrës, banesat historike me pronarë të identifikuar, në zona të konservimit dhe jo informale, po trajtohen njësoj sikur të ishin ndërtime pa leje. Kjo nuk është luftë kundër informalitetit, por cenim i trashëgimisë dhe i pronës së ligjshme.

Së treti, nuk bëhet fjalë për prona brenda amfiteatrit apo në perimetrin e tij të drejtpërdrejtë, të cilat mund të shpronësohen me çmim të drejtë tregu për interes publik. Bëhet fjalë për prona shumë larg amfiteatrit, deri në zonën e shkollës “Jani Kukuzeli”, që nuk kanë asnjë lidhje me nxjerrjen në pah të monumentit.

Projekti TID është hartuar pa matje dhe verifikime reale në terren. Të ashtuquajtur “ekspertë italianë” të angazhuar nga AADF kanë punuar mbi Google Maps, duke i konsideruar banesat e rregullta si “shtesa” dhe duke i trajtuar ndërtesat e konservuara si “prishje imazhi”, vetëm pse nuk janë ndërtuar të reja.

Ky projekt ka karakter selektiv dhe klientelist. Nuk është një plan për interes publik apo kombëtar. Nëse do të ishte i tillë, banesat historike do të ruheshin dhe restauroheshin, jo të zhdukeshin.

Pezulloni projektin dhe të bëhet një projekt që realisht mund ti shërbej dosjes së UNESCO sepse një nga kriteret thelbësore është ruajtja e peisazhin historik dhe mos cënimi i vlerave identitare. UNESCO nuk mbështet shëmbje dhe rikrijime të qyteteve me hapësira të gjelbëra por restaurime të vlerave historike.

Trashëgimia kulturore nuk mbrohet duke e fshirë, por duke e ruajtur.

 

Të fundit