Flash News

OP-ED

Ditari i Rezistencës/ Ku fillon “e mira”

Ditari i Rezistencës/ Ku fillon “e mira”

27 gusht, 2019

 

“Po u zgjidh Teatri, u zgjidh Shqipëria...”. Ky është mendimi i një burri në turnin e darkës. Burri, ka pasë punuar, me sa kuptoj, në dyqan biçikletash në Itali. Ai ka një problem me Shqipërinë. Madje, më shumë se një.

“Këtu nuk buzëqesh njeri”, më thotë, “normal që duan ta prishin Teatrin!”.

Nuk është puna vetëm për një Teatër. Po të kishim qytetarë, jo thjesht banorë, njerëz që ecin në vijat e bardha, që nuk kalojnë me të kuqe, që nuk bërtasin rrugëve, që nuk hedhin plehrat ku t'i zërë...

Na duhen sa më shumë shqiptarë të vijnë këtu... të mësojnë.

Ky burrë, pret shumë. Ai pret që nga sheshi i Teatrit, ku prej 1 viti e gjysëm ka përnatë fjalime, tanimë edhe shfaqje, të mësohen shqiptarët që të jenë qytetarë. “Këtë duhet të bëjmë këtu”, më thotë, “të edukojmë tërë Shqipërinë.”

Sa bukur do të ishte. Por, kam frikë se do të zhgënjehet. Sepse, sado pozitivitet e qytetari të rrezatojë ky shesh, sadoqë është zona e fundit e lirisë e këtij vendi, mjetet e të keqes janë shumë më të mëdha. Nga të gjitha mjetet e komunikimit masiv, nga shumica e programeve televizive, nga tekstet e video-klipet e këngëve të tallavasë e hip-hopit, përhapet vetëm banalitet i rëndomtë; nga studiot e Fevziut, Ballës, Zhejit, e gjithë ato të tjerat, injektohet vetëm komunikim konfliktual, gjuhë e varfër, mungesë idesh dhe tepricë dhune; nga të gjithë shembujt jetësorë që propagandohen shpërfaqen vetëm personazhe të dyshimtë, njerëz që tundin flamujt vulgarë të parasë, pronës e pushtetit; nga maja e Piramidës së pushtetit përhapen shembuj anti-qytetarie e idhuj banalë. Në këtë botë ku miku më i mirë kryeministrit quhet Ymer, Qife apo Shefqet, tendenca e masës është t'i ngjajë Qifes, Ymerit e Shefqetit.

Përpiqem t'ia shpjegoj burrit që ka rregulluar biçikleta në Itali, por ai nuk dorëzohet para meje.

“Ne duhet të gjejmë të mirën, se të keqen e gjejnë këta të tjerët...” më përgjigjet duke drejtuar kokën nga Ministria e z. Lleshi.

Sot është turni im i fundit i gushtit. Më duhet të largohem nga Tirana, dhe derisa të rikthehem me 1 shtator, mirë do të ishte të gjeja një zëvendësues për vendin tim të rojës.

No Pasarán!

 

Të fundit