Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
3 shtator 2019
nga Koloreto Cukali
Ka dy ditë që në marangozerinë e Teatrit, që është ndërtesa ballore, në fund, pas pishinës, kanë ardhur marangozët. Duan të përgatisin skenografinë për tek i ashtuquajturi Teatër Turbina. Vetë Turbina, nuk ka një vend për të përgatitur as skenografitë, sepse ajo ndërtesë nuk bën për Teatër.
Sheshi i Teatrit ka nga të dy anët, dy ndërtesa, pra dy Teatro: djathtas atë Kombëtar, që duan ta prishin, dhe majtas atë Eksperimental, që gjithashtu duan ta prishin. Eksperimentali është rinovuar para pak kohësh dhe është tërësisht funksional. Në dritaret e tij saksitë me lule janë tharë. Të 2 teatrot janë braktisur me urdhër nga lart brenda ditës, para se të niste mësymja e Korrikut.
Një amerikan nja 80 vjeç viziton sheshin. Ka ardhur aty e përpiqet t'u mbushë mendjen atyre që kanë turnin e rojes që ky Teatër në asnjë mënyrë nuk duhe të prishet. Duhet pak kohë për t'i shpjeguar që nuk jemi ne ata që duam ta prishim.
Janë ata që dalin në televizor.
Titujt e pamjet pa zë të lajmeve tek lokali ku porosisim kafen dhe ujin - që nga punimet e Parlamentit e deri te kollarisja e T. Ballës, që diçka flet me një të vetëndjerë si prej T. Rexi - tentojnë të të përcjellin ndjesinë se jetojmë në një vend normal. Sforcimi i njerëzve të Ramës për ta bërë këtë vend të duket si normal ka kaluar në faza qesharake.
Njëri drejtor, ai i Eksperimentalit, është kundër shembjes. Tjetri, ai i Kombëtarit është pro shembjes, ngre lart Turbinën, edhe pse skenografitë nuk i bën dot te Turbina. Pra, kemi arritur në një pikë ku çdo gjëje mund t'i vihet rruspa, mjafton të gjejsh një shërbëtor që është i gatshëm të firmosë. Para do kohësh zhdukën si pa gjë të keqe Monumentin e Shqiponjës në hyrje të Tiranës. Personalisht, mendoj që estetikisht ajo ishte një vepër pa ndonjë vlerë. Por, vlerat e saj ishin morale. Jo vetëm se u vu aty në një moment shumë të rëndësishëm kur shteti shqiptar mbushi 100 vjeç, por, sepse e gjithë Tirana e quajti atë vend Shqiponja. Për të zhdukur atë shqiponjë mjaftoi firma e një nëpunësi shërbëtor diku.
Sepse në shtetin që po bën 107 vjeç çdo gjëje mund t'i vihet rruspa. Mjafton të ket një njeri që do bëjë para aty dhe të ndajë mendjen Babloku. Ndaj, sforcimi i T-Rexit për të bërë sikur jetojmë në një vend normal është qesharak.
Sheshi i Teatrit është momentalisht e vetmja copë normale, në një vend anormal. Dikush më dërgon njoftimin e një takimi të hapur të Albin Kurtit te Muzeu Kombëtar. Për sa kohë ka Muze Kombëtar, sepse nesër mund t'i fusin rruspën për ta bërë kullë 40 katëshe. Një shërbëtor, për të hedhur firmën mund ta gjenke shumë kollaj në këtë kuazi-shtet 107 vjeçar.
Njerëzit e rezistencës përpiqen të ujisin me pompë, prej ujit të pishinës. barin e lulet e sheshit që të mos thahen, sa herë që ndizet gjeneratori. Por duhet blerë një zorrë e re.
Dikush vëren që Macja e Teatrit, një feline njolla-njolla bardhezi është shëndoshur që kur ka filluar rezistenca. Atë e ushqejnë të gjithë, madje është dhe llastuar ca.
Macja, nuk di gjë për Tiranosaurus Rex dhe shokët e tij. Macja, jeton në Shqipërinë e lirë, 1500 metra katrorë, të territorit të paokupuar të Teatrit Kombëtar.
No Pasarán!