Flash News

OP-ED

Ditari i Rezistencës/ Me siguri, edhe ti ke një hall si i yni

6 shtator, 2019

Koloreto Cukali 

Ti ke vendin më të mirë të punës në Tiranë, më thotë njëri nga djemtë që na bën një vizitë gjatë turnit të drekës tek sheshi i Teatrit. Ai ka parë tavolinën time të improvizuar pranë pishinës dhe laptopin. Djali ka të drejtë, edhe pse në “zyrën” time “Tirana Friendly Wifi” nuk punon. Si shumica e gjërave që nisen me bujë, edhe ky sistem falas i internetit në zonën e qendrës është jofunksional. Megjithatë, më shumë se wifi, na duhet korrent dhe ujë për të zhvilluar shfaqjet e për të mirëmbajtur Teatrin.

Vajzat e Aleancës e lajnë përditë, me ujë të mbartur me kova nga pishina.

Turma turistësh kalojnë para Teatrit, shoqëruesi u shpjegon që duan ta shembin, shpërthejnë fotot e selfiet, vazhdojnë më tej.

“Ju besoj unë juve”, më thotë një burrë i imët nga Fieri. “Kam dhe unë probleme, po nuk po i zgjidh dot”. Burri, një ish-emigrant në Greqi, (“kështu ishin Teatrot dhe atje, po nuk i prishte njeri”, komenton), ka probleme me vendbanimin ku jeton, me sa kuptoj duan t'ia marrin dhe në Fier nuk i jep njeri zgjidhje. Ma shpjegon hallin që ka, me detaje, një nga hallet e shumta të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, një hall i krijuar nga korrupsioni që nis në Bashkitë e mbaron në polici e gjykata. Burri, nuk ka mundur të zgjidhë gjë as në Tiranë.

“Ju kuptoj unë juve”, ma përsërit disa herë. “E kam hallin si tuajin”. Po si do shkojë kjo punë, më pyet. Po si do shkojë ky halli yt, e pyes. Ai tund kokën. Nuk ka përgjigje për të më dhënë.

Ky njeri, do vetëm të jetojë, e ta lënë të jetojë. Por, në shtetin e Edi Ramës, nuk është kollaj të të lënë të jetosh.

Dje pasdite, në Teatër ishte filozofi shqiptar, Nazir Kraki, profesor në Universitetin Paris-Est.

Si t'u duk ligjërata e Profesorit, pyes një burrë me profesion inxhinier. “Nuk kam dëgjuar kurrë më parë që dikush të artikulojë kaq qartë të vërtetat”, më përgjigjet. “...E vetmja shfaqje që do të shihet në Teatrin e ri që synohet të ngrihet, do të jetë ajo e një populli të pashpresë, të dhunuar në krenarinë e vet nga matrapazë politikë që kurrë s'u ngopën...” shkruan Kraki. “Në Tiranë nuk po shembet Teatri Kombëtar, po shembet Shqipëria.”

Një çift italianësh vijnë e ulen në shesh. Pijnë nga një birrë e flasin për teatrin e për publiken me nja 2 djem të aleancës. Njëri nga Italianët u shkruan miqve të vet artistë në Romë, “po të doni, ejani keni një Teatër falas për të dhënë shfaqje në Tiranë.”

Më mirë që nuk ka wifi. Nuk besoj se ka pasur më përpara një vend si ky në Tiranë, ku kushdo mund të vijë, të njohë njerëz, të bisedojë me të panjohur e të ndjehet si në shtëpinë e vet.

Ata që nuk kanë qenë kurrë këtu, nuk kanë për ta besuar dimensionin e lirisë që të fal ky shesh.  Për momentin. Derisa shteti i Qifeve të bëhet gati për sulm.

NO PASARÁN!

Të fundit