Flash News
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Makina përplas për vdekje këmbësorin në Fier, shoqërohet shoferi 20-vjeçar
Miratohet raporti, Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Gjekmarkaj letër Gjykatës së Apelit: Kthejini legalitetin Partisë Demokratike dhe opozitës
Ditari i rezistencës nga Koloreto Cukali/ Kalorës të Artit dhe Kalorës të sheshit
9 gusht 2019
Sot kam ndërruar turnin. Turni i ri fillon në 7:00 të mëngjesit. Gjatë natës qedrestarët që ruajnë Teatrin kanë kapur një person të dyshimtë që tentonte të përbironte në Teatër. Frika është që ose kompania private ose mercenarët e Bablokut të vogël do të tentojnë t'i vënë flakën Teatrit. Sa vila të vjetra, madje dhe monumente kulture, nga Korça, në Shkodër, Gjirokastër e në Tiranë janë djegur “rastësisht” pak para se të merrnin lejen e ndërtimit. Mu në sytë e administratorëve të shtetit që kur nuk e prishin dot me ligj, e nxitin privatin që ta shkrumbojë me benzinë.
Një mbrëmje më parë në sheshin e Teatrit është shfaqur dokumentari La Nave Dolce. Dy ditë më parë, Nobelistja austriake Elfride Jelinek bashkë me 2 shkrimtarë të tjerë austriakë kanë nisur një peticion për të mbrojtur Teatrin TONË Kombëtar, atë që artistë shqiptarë pa ndonjë Nobel për vete, veç për t'i shkelur syrin Bablokut të Vogël janë gati ta shembin. Peticioni po bën xhiron nëpër qarqet kulturore austriake para se t'i shkojë qeverisë së atij vendi.
Unë e dua shumë Jelinek. Prej vitesh, nuk jam emocionuar e përfshirë aq shumë nga stili i një shkrimtari/je sa ç'më ka ndodhur 3 vitet e fundit me librat e Jelinek. Unë e dua shumë edhe Kadarenë. Por Kadareja, hë për hë, nuk po firmos ndonjë peticion. Secili ka hallet e veta. Në mbrëmjet e Teartit diskutohet edhe kjo, pse Kadareja, apo filani, nuk dalin pro Teatrit. Këtu mendoj që ne bëjmë një gabim.
Ne presim nga njerëz të mëdhenj në art që të jenë edhe heronjtë e realitetit tonë të kaftë. Ne presim që Robert Ndrenika të zbresë në shesh e t'i thotë “jo” krimit. Por, e kemi gabim. Ne duam të detyrojmë njerëz të mëdhenj në një fushë të artit që të bëhen të mëdhenj edhe në një fushë të jetës. Kjo është e padrejtë. Aq më tepër në një vend si Shqipëria, ku pushteti ka mjete nga më perverset për të të bërë të heshtësh. Për fatin tonë të keq, artistët tanë, si ata që lulëzuan në diktaturën e Enverit, apo dhe ata që (nuk) lulëzuan në autokracinë e Berishës e të Ramës, nuk i kanë patur kushtet të rriten për të qenë kalorësit e lirisë.
Jelinek, ka thithur tjetër ajër. Ndaj, lëreni të qetë Ndrenikën në kafetë e qeta me miqtë ku le të flasë edhe pro Teatrit po deshi. Po mos i kërkoni të bëhet kalorës. Le ta duam për atë sa ka dhënë në ekran, dhe le të mos mendojmë për të në rrugë.
Ekziston frika se TK do të tentojnë t'i vënë flakën. Siç ia kanë vënë sepse, ky është fashizmi i ri, dhe ky është vendi i rezistencës ndaj tij. Qoftë 10, 20 apo 100 vetë, por nuk do ta lëmë. Jo vetëm për neve, por dhe për Kadarenë e Ndrenikën dhe për gjithë gjithë Shqipërinë.
No Pasarán!
©Politiko.al