Flash News

OP-ED

'Ditari i Rezistencës' nga Koloreto Cukali / The Night Watch

'Ditari i Rezistencës' nga Koloreto Cukali / The Night Watch

1 gusht 2019

“Vetëm mbyllja e syve është relaks i paparë”, thotë njëri nga “rojet e natës” së Teatrit, i shtrirë në një sleeping bag. Është ora 2:20 e natës. Me ciklin e gjumit e të jetës të trazuar, ai dhe disa dhjetëra të tjerë bëjnë rojë, 24 orë rresht, me turne, te oborri i Teatrit Kombëtar për të ruajtur se mos Bashkia sjell përsëri Policinë dhe hamejtë e Partizanit të Panjohur për ta zbrazur godinën, për të hapur rrugën e prishjes.

Për të rritur presionin Bashkia ka prerë ujin dhe dritat. Megjithatë, ai vend, është çuditërisht një nga më të gëzueshmit që mund të shohësh në Tiranë. Ndoshta është një nga vendet e pakta në qytet ku ka shpresë e jo depresion.

Pse erdhe këtu, pyes një vajzë. Erdha para ca muajsh për të dëgjuar fjalimet, dhe mbeta, më përgjigjet.

“Më thonë, ç'do atje”, tregon një burrë tjetër me një theks të fortë që më vjen diku mes Beratit e Lushnjes. “Po ç'punë keni ju, u them, unë vetë atje ku më thotë zemra”.

Po ta kisha hasur në rrugë këtë person nuk do e kisha besuar kurrë që mund të vinte për të ruajtur një teatër që duan ta zhbëjnë, dhe me sa kuptoj, pa pasur asnjë përfitim personal. Por, paragjykimet e mia prej snobi që jeton në qendër janë shembur me kohë, që kur ata që e kishin Teatrin shtëpinë e tyre, dhe që e nisën me fjalime shekspiriane mbrojtjen, befas, një nga një panë që kishte më shumë për të ngrënë në vathën e Bablokut sesa në oborrin Teatrit.

Po për ta këtu nuk para flet njeri.

Sot ka qenë një natë e madhe. Në Teatër, u realizua një shfaqje nga aktori me famë ndërkombëtare, Arben Bajraktari, në mbështetje të kauzës. Shteti na kishte hequr dritat, por ne prapë e bëmë shfaqjen me gjenerator. Babloku do ta zhdukë Teatrin, por, Teatri foli.

Unë hyj tek ata njerëz që kam besuar që kontributin tim për këtë vend mund ta jap më mirë duke shkruar sesa në rrugë. Megjithatë, ka momente ku shkrimet nuk kanë më kuptim përpara të keqes, ndaj njeriu detyrohet të dalë në rrugë. Kam dalë në 94, në 96, në 21 janar, dhe më është dashur të dal dhe tani. Sepse kam kuptuar që e keqja e madhe që ka kapluar kombin, shoqërinë, politikën dhe shtetin ka vetëm një mundësi të fundit ku mund të luftohet. Ky vend, është Teatri.

Nuk bëhet më fjalë thjesht për një godinë, për një memorje kolektive, për trashëgimi kulturore apo dhe për një projekt mafioz. Teatri është pika e fundit e rezistencës. Ose, dhe e para. Është si mbrojtja e Madridit ndaj aleancës së fashistëve frankistë. Po ra Teatri, kemi rënë të gjithë, ka rënë qytetërimi, ka rënë shoqëria, ka rënë forca jonë për t'i thënë jo të keqes.

Ndaj, është e rëndësishme të dalim në rrugë.

Në 3 pas mesnate vjen turni tjetër.

Rezistenca do të jetë e gjatë, por do ia vlejë.

No PASARAN!

©Politiko.al

Të fundit