Ditari i Rezistencës / Shkundësit e Pluhurit dhe Gjeli majë Pirgut

12 shtator, 2019

Ka 3 ditë që një grup prej 10-15 vetësh nxjerrin jashtë ndenjëset e teatrit për t’i pastruar. Pluhuri që ngrihet prej tyre është më i madh se ai që mund të ngrenë 2 të rritur duke ngritur me shputa përpjetë rërën e plazhit. Duket sikur ato ndenjëse ku publiku është ulur deri në fund të sezonit që kaloi nuk janë pastruar prej dhjetëra vjetësh. Aktorët e vjetër tregojnë që dikur, në fund të çdo sezoni sipas rregullores ndenjëset mbuloheshin, ndërsa në “kohë të Enverit” mbuloheshin pas çdo fundjave shfaqjesh.

Por, sot jetojmë në kohën që drejtorët vendosen në krevatin, nevojtoren, kazinonë apo kanapenë e një ministri apo Kryeministri.  Ndërkohë, “reformat” e njëpasnjëshme, dmth fshesa në administratë nga çdo qeveri e re, ka fshirë elementin më të rëndësishëm të burokracisë, përvojën, atë që nevojitet për të përcjellë e përsosur ingranazhin e administrimit të vendit.

Sidomos në këtë administratë, nevoja e njëshit për të shkëlqyer i vetmuar, ka sjellë që ai ta rrethojë veten me zyrtarë të pashkollë e injorantë, njerëz që në raport me shtetin kanë qenë kryesisht në anën e kundërt, në anën e atij që shkel ligjin, që nga mënyra si marrin diplomat, si bëjnë paratë, e si e mendojnë shtetin, si një lopë që duhet rrjepur në kockë, jo thjesht shtrydhur; njerëz, shumica e të cilëve kalojnë nëpër kampet e partisë, sponsorizimin e babit apo krevatet e shefave; zyrtarë që edhe në nivelet më të larta nuk dinë të shkruajnë mirë shqipen – shihni faqet e tyre të FB për ta verifikuar; e gjitha kjo, që njëshi të shkëlqejë si gjeli në majë të plehut. Sepse, njëshi e ka të nevojshme të adhurohet pa kushte – dhe këtë mund t’ia ofrojnë vetëm jo-profesionistët, puthadorët e puthabythët, bythëmëdhatë, dhe… figurat publike, por jo vetëm kaq. Një nga arritjet e mëdha të kësaj qeverie është që ka arritur të transformojë në pleh dhe artistët, gazetarët, analistët, blogerët ose profesionistë të tjerë. Deri edhe përkthyes, të zotë në profesionin e tyre nuk i kanë qendruar dot tundimit për t’u bërë pjesë e pirgut të plehut ku kakaris gjeli i rradhës i kotecit tonë në këmbim të një vendi në administratë. 

Por, administrata nuk bëhet dot as me aktorë as me përkthyes e as me piktorë. Ndaj rrënimi i shtetit në nivel administrativ është aq i thellë e thuajse i pakthyeshëm.

Ndaj, kolltuqet e Teatrit Kombëtar nxjerrin pluhur si të kishin qenë 3 vjet të braktisura në mes të Saharasë. Sepse, Teatri, sikurse Tirana, sikurse Ministria e Kulturës, sikurse Shteti Shqiptar qeveriset me njerëz që nuk janë bërë ose nuk dinë ose nuk duan të qeverisin e të manaxhojnë. 15 vetë po bëjnë vullnetarisht atë që administrata e Teatrit nuk e ka bërë prej kushedisa vitesh, dhe që, nuk u ka vajtur mendja po mund t’ia kishin lënë Fushë.shpk me PPP ta pastronte, për 2-3 milionë euro.

15 vetë, po bëjnë atë që askush në këtë vend nuk ka guxim ta bëjë, të spostojë pak pleh nga pirgu ku ka hipur gjeli kakarisës. Kjo, me siguri e acaron shumë gjelin. Por, roli i gjelave në historinë e njerëzimit dihet. Herët a vonë e hanë për Vit të Ri.

NO PASARÁN!