Flash News

DITARI POLITIK

A do të kandidojë Ilir Meta për bashkinë e Tiranës? Një postim që duket më shumë se revoltë ndaj lali Erit

A do të kandidojë Ilir Meta për bashkinë e Tiranës?

Presidenti Ilir Meta është shfaqur mjaft kritik në rrjetet sociale ndaj Bashkisë së Tiranës sa i përket vlerësimit të kryeqytetit nga raportet që flasin për ndotjen, keqpërdorimin e fondeve e deri te keqshfrytëzimi i hapësirave të gjelbra.

Meta shkruan në Facebook, se Tirana është shndërruar në “një xhungël asfalti” dhe “lavatriçe e pastrimit të parave”, e cila nuk i ngjan aspak kryeqytetit të 30 viteve më parë. I gjithë postimi, që në dukje jep kritikat për investimet e kryera dhe dëmin që i kanë kushtuar kryeqytetit, shkrimi lexohet më shumë si një revoltë ndaj kryebashkiakut Veliaj.

Renditja e të metave që Tirana ka sot adresohet në mënyrë indirekte në emër të Veliajt. E më tepër se shqetësimi mbi Tiranën, duket se Meta ka shqetësim parësor Veliajn në krye të Bashkisë së Tiranës.  Por, a është kjo një përpjekje e Metës, për të treguar se mund të jetë ai kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës?

Nuk është hera e parë që Meta shigjeton Veliajn. Ndoshta pas 24 korrikut, sikurse Meta ka premtuar ‘projekte të mëdha’ për Shqipërinë, presidentin aktual të vendit referuar postimit të sotëm, mund ta shohim edhe si kryebashkiakun e ardhshëm të Tiranës.

Postimi i plotë:

“Tiranës së sotme nuk i ka mbetur pothuajse asgjë nga ajo e 30 viteve më parë. Hapësirat e gjelbra janë ngushtuar. Ndërtesa të reja po lartësohen çdo ditë, ndotja është shtuar, trafiku ka raste që është i papërballueshëm, parkimi është një mision, pothuajse i pamundur. Vlerësimet janë se 40% e ndërtimit qarkullon paratë informale, nga disa kompani, kryesisht në kullat e shtrenjta. Paraja informale duket se ka qenë lobuesi kryesor për të rritur sipërfaqen me leje ndërtimi”.

Këto janë konstatimet tronditëse, që i shohim çdo ditë dhe që i sjell në vëmendjen e banorëve të Tiranës, revista prestigjoze “Monitor” në editorialin që nuk duhet humbur: “Si po shpërdorohet e ardhmja e kryeqytetit!”

Me të drejtë një nga mendjet më të ndritura të kombit do ta krahasonte vite më parë Tiranën me “një xhungël betoni dhe asfalti”, të shndërruar në "lavatriçen" e pastrimit të parave të trafiqeve dhe korrupsionit, të shpërfytyruar dhe që portretizon më së miri atë sekt që nuk çmon as të shkuarën dhe as të ardhmen e popullit dhe vendit të vet, që ka shkatërruar çdo trashëgimi historike dhe kulturore, në zbatim të një projekti shkombëtarizues, ku më të rëndësishme janë paratë se vlerat.

Mbyllja e pamëshirshme e hapësirave jetësore për banorët e Tiranës, paraliza e lëvizjes qytetare, biznesit të vogël dhe të mesëm nga mafia e betonit, ngushtimet dhe devijimet e qëllimshme të rrugëve dhe nyjeve të trafikut, vetëm për t’i shërbyer një grushti klientelist dhe oligarkësh të lidhur me pushtetin e kanë renditur kryeqytetin, në qendrën urbane me cilësinë më të keqe të jetës në Europë dhe ndër të fundit në botë sipas statistikave më serioze.

Me shërbimin më të keq shëndetësor, me fuqinë blerëse më të ulët dhe me ndotjen më të lartë të ajrit.

Ky është rrethimi dhe kapja e programuar e kryeqytetit, mbyllje e perspektivës së tij dhe të banorëve.

Çlirimi i Tiranës nga kjo zgjedhë asfiksuese është një detyrim qytetar dhe patriotik!

 

Të fundit