‘Djalli i detajeve’ te letra e Ramës

Alfred Lela

Një Edi Ramë i përkryer do ta dorëzonte mandatin e kryeministrit, të shpallte zgjedhje të reja parlamentare e lokale bashkë dhe, sindozot! edhe ndonjë bujari tjetër. Por ai është i papërkryer dhe shkruan letra. Si kjo e fundit për shembull ku, pas ftesës së OSBE për tryezën e Reformës zgjedhore, e shtrin edhe njëherë dorën e gjatë, pasi ka shkruar me të një letër radhe për kundërshtarin politik.

Në fakt, kësaj radhe nuk është një kundërshtar, Lulzim Basha, por janë disa, përfshi këtu krerët e të gjitha partive opozitare që përqafësoheshin në Parlament, para se të kaplonte ‘rajshatgu’ i djegies së mandateve. Këtu gjendet edhe ai djalli, që fshihet te detajet, dhe të cilin kryeministri shqiptar e rrit me dëshirën që një katërvjeçar përkëdhel lodrat e fëminisë.

Me zgjerimin e rrethit të të ftuarve, shefi i qeverisë redukton peshën e Lulzim Bashës, duke bërë në të njëjtën kohë një shkelje syu për aleatët e kryedemokratit. Disa prej krerëve të partive të vogla janë shprehur, me zë e nën zë, për nevojën e një negociate me Ramën, duke e hequr kushtin e panegociueshëm të Bashës për kryeministrin. I cili e sheh atë të zhveshur nga posti ekzekutiv dhe në fuqi negociuese vetëm si kryetar i PS. Pra, një dorëzim të tij dhe një nisje e bisedimeve me ‘një në dorë’ për kryetarin e PD.

Rama i hap kështu mundësinë vetes që, përmes një diversioni, të sigurojë një përçarje të mundshme mes krerëve opozitarë. Nëse Mediu, Ndoka, Shehi dhe Duka do të ‘imitonin’ tryezën e thirrur syresh, të 16 majit 2017, lavdinë dhe turpin e së cilës ua vodhën Rama me Bashën, ky i fundit do të mbetej përfundimisht i vetëm dhe i shpërfillur. Kjo do ta bënte Bashën të dukej po aq famëkeq sa edhe shkaktari i krizës (Rama, sipas tij), duke qenë penguesi i zgjidhjes së saj.

Me anë të letrës së të mërkurës kryeministri siguron, edhe një herë tjetër, një ‘gjatësi vale’ me ndërkombëtarët, duke e pasë bërë ftesën të njëjtën ditë me OSBE dhe nën sqetullën e shqetësimit për Reformën zgjedhore. Refuzimi i menjëhershëm i Bashës, edhe pse logjikisht qëndron (nuk mund t’ii varen ujkut zorrët në qafë), politikisht është i skaduar. Sikur, edhe vetëm me anë të përsëritjes.

Një djallëzi tjetër detajiste në këtë letër mesjave mund të lexohet edhe te një ‘mëshirë’ e Ramës për Bashën. Duke i ftuar të gjithë ai i heq kundërshtarit të tij real ‘ngarkesën bërthamore’ që ka për të, në PD dhe shoqëri, një flirt i presupozuar mes të dyve, që u ngjiz ndër orët e gjata, atëherë engjëllore, të 16 majit 2017 dhe hamendësohet se rron ende i fshehur, sa në skutat e djallit sa në t’imtat e detajeve.