‘Do ashpërsojmë ligjin për dhunuesit e grave’, Vokshi i kthehet Ramës: Hipokriti numër 1 që qan me lot krokodili

Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, përmes një postimi në Facebook i është përgjigjur kryministrit Rama, i cili sot nga foltorja e kuvendit paralajmëroi ashpërsim të ligjit për gratë e dhunuara.

Vokshi i quan hipokrizi deklartat e Ramës, me theksin se nuk është zbatuar asnjë pikë e rezolutës në parlament për t’u ardhur në mbrojtje.

“Kur flet për ndershmëri, për drejtësi dhe për solidaritet, Edi Rama është hipokriti numër 1. Kur të gjitha bashkë lidhen me gratë, ai është një mashtrues i rëndomtë, i cili në vend që të vendosë shtetin në shërbim të grave të pambrojtura e të dhunuara, frymëzon dhunë.

Edi Rama qan me lotë krokodili për gratë, pasi qeveria e tij nuk ka zbatuar asnjë pikë të rezolutës së Parlamentit për mbrojtjen e grave.

Dy vjet pas propozimit dhe miratimit në Kuvend të rezolutës për masat kundër dhunës në familje, nuk është bërë asgjë. Nuk është miratuar asnjë politikë favorizuese dhe asnjë institucion nuk ka zbatuar asnjë pikë të rezolutës. Në ndryshim nga dy vjet më parë, gjendja është përkeqësuar, dhuna në familje ka bilanc lufte”-shkruan Vokshi.