“Do jepja edhe jetën që ta ktheja nga koma”, kush është ‘njeriu i zemrës’ për të cilin foli Rama në Kuvend

Kryeministri Edi Rama ndau sot një histori personale gjatë fjalës së tij në Kuvend, ndonëse në kulmin e debateve pas shembjes së Teatrit Kombëtar dhe thellimit të krizës politike në vend.

Duke u ndalur te përballimi i situatës së pandemisë, Rama solli në vëmendjen një moment të vështirë nga jeta personale, kur disa vite më parë i është dashur të shohë në koma një njeri të zemrës.

“Jeta më ka çuar dikur pa dashjen time pranë një njeriu të zemrës në një spital amerikan në Masacutes, kur pashë se çfarë ndodhte mendova se kjo këtu është dora e zotit, se s’ka mundësi.

Para syve pashë atë qenie për të cilën do jepja jetën time të kthehej nga koma dhe sot në atë vend ku gjendet ai spital numërohen 6 mijë të vdekur me vetëm dyfishin e popullsisë së Shqipërisë”, tha Rama ndër të tjera.

Shumë shpejt, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi reagon me një status në rrjetet sociale, ku shkruan: “Shprehjen më të mirë të dashurisë për fëmijët mund ta bëjmë duke mos i përdorur ata sa herë kemi halle politike dhe ligjore. #MosIdhunoniFëmijët”, shkruan Kryemadhi.

Ndërkohë, katër vjet më parë, kujtojme se kryeministri Rama ka rrëfyer në një Kongres të Onkologjisë të organizuar Tiranë eksperiencën e tij personale me kancerin, që kishte kaluar i biri Gregu.

“Unë kam pasur një përvojë personale me kancerin dhe saktësisht, 11 vite më parë, më duhej të luftoja me një realitet tej mase të keq që u krijua për mua dhe familjen time, pasi mu desh të dija që djali im ishte i sëmurë me kancer. Dhe, mësimet që nxora nga kjo përvojë transformuese ishte e madhe në shumë aspekte. Por, një nga gjërat që mu desh të provoja në lëkurën time kishte një ndryshim të madh në atë që vetëdija bën, kur kemi të bëjmë me kancerin, një dallim që shtrihet nëpër të gjitha vendet, kur kemi të bëjmë për vendet dhe vendet nuk dallojnë duke u bazuar në atë që kanë, por më shumë në atë që dinë dhe sa më shumë të dinë aq më të mirë janë”, tha Rama.

Po ashtu, në 2013-ën kishte folur edhe Greg Rama lidhur me këtë sëmundje. “U diagnostikova me kancer kur isha te xhaxhai im në Amerikë. Mora Edin në telefon dhe i thashë: Unë mund të largohem, por unë nuk dua të largohem. Edi më tha që ti nuk ke për t’u larguar, sepse ti je djali im”, shprehej Greg Rama, i cili fatmirësisht e kaloi me sukses këtë periudhë të vështirë.