Flash News

KRYESORE

Do sfidonte Veliajn, tërhiqet nga gara për zgjedhjet e 30 qershorit Koço Kokëdhima

Do sfidonte Veliajn, tërhiqet nga gara për zgjedhjet e 30 qershorit

Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima deklaroi më herët se do të kandidojë për kreun e Bashkisë Tiranë ku do të sfidonte dhe Erion Veliajn.

Mirëpo, Kokëdhima ka vendosur të tërhiqet nga gara. Ai ka publikuar një rezolutë, ku ndër të tjera thekson se 'Zgjidhja' ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet e 30 qershorit dhe të tërheqë kandidaturën.

"Hyrja e partisë ‘Zgjidhja’ në zgjedhjet e 30 qershorit nuk do t’i përmirësonte standardet e tyre të munguara dhe se zgjedhjet jo gjithpërfshirëse e përçajnë dhe e destabilizojnë edhe më keq Shqipërinë. Prandaj vendosi që: Partia ‘Zgjidhja’ të bojkotojë zgjedhjet e 30 qershorit dhe të kërkojë shtyrjen e tyre për në vjeshtë", thuhet në rezolutë.

Më tej, Kokëdhima u bën thirrje PD-LSI “që të ngrihen mbi interesat e ngushta vetjake dhe të bashkohen në një pakt të madh kombëtar me nevojën imediate për reformimin dhe hapjen e sistemit, si e vetmja rrugë shpëtimi nga kriza dhe garantimi të stabilitetit politik afatgjatë”.

Rezolutë e Kongresit të I-rë të partisë ‘Zgjidhja’

Anëtarët e partisë ‘Zgjidhja’, të mbledhur sot në Kongresin e I-rë, të shqetësuar për situatën kritike ku ndodhet vendi, për shkak të krizës politike e institucionale ciklike e shumëvjeçare, gjendjes së rëndë social-ekonomike dhe në prag shpërthimi, ndërsa krimi ka marrë përmasa të frikshme dhe palët politike flasin vetëm për përplasje civile:

U bëjnë thirrje lidershipit të PS-PD-LSI, përgjegjës për këtë situatë, që të ngrihen mbi interesat e ngushta vetjake dhe të bashkohen në një pakt të madh kombëtar me nevojën imediate për reformimin dhe hapjen e sistemit, si e vetmja rrugë shpëtimi nga kriza dhe garantimi të stabilitetit politik afatgjatë. Palët në konflikt të bëjnë hapa prapa, për të bërë të gjithë së bashku një hap të madh përpara, që do të rikthejë përfundimisht votën e lirë, sundimin e ligjit, sovranitetin e popullit dhe hapjen e sistemit. Vetëm kjo do t’i japë fund tranzicionit lëngues të vendit. Ju bëjmë thirrje partive dhe militantëve të tyre, që të heqin dorë urgjentisht nga kërcënimet dhe planet për të çuar vendin në një përplasje të madhe civile, me rastin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kongresi konstatoi:

1-Burim i krizës është bllokimi i Reformës kushtetuese dhe asaj elektorale me marrëveshjen PS-PD për të mos lejuar çlirimin e zgjedhjeve dhe me lojën me Komisionin e Posaçën të Reformës Zgjedhore, për të mos shfuqizuar Kodin Zgjedhor.

2-PS-PD duhet të pranojnë se kriza nuk zgjidhet me pazare, por me reformat që bëjnë të mundur rikthimin e lirive republikane dhe të të drejtave të sovranit të uzurpuara prej kryetarëve të këtyre partive, duke:

a)Shfuqizuar ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, me marrëveshjen Berisha-Rama.

b) Shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit për në muajin tetor 2019. Reforma zgjedhore duhet të kryhet përpara zhvillimit të tyre.

c)Mandatuar një qeveri teknike me bazë të gjerë e cila duhet të përgatisë dhe implementojë Reformën Kushtetuese dhe Reformën Zgjedhore, përmes një komisioni gjithpërfshirës.

d)Demokratizuar zgjedhjet, me një KQZ dhe administratë zgjedhore të depolitizuar e tërësisht të pavarur, me një proces e ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurencës mes partive dhe individëve, duke eliminuar favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja, ndërsa votat duhet të ketë të njëjtën peshë për çdo subjekt apo individ dhe të numërohen në Qendrat e Votimit.

dh) Demokratizuar dhe reformuar me ligj partitë politike, të cilat duhet të zgjedhin përfaqësuesit dhe drejtuesit përmes primareve në parti.

e: Kaluar në një parlament me 100 deputetë dhe në një sistem mazhoritar të hapur me 70 zona, të korrektuar me propocional kombëtar për 30 deputetët e tjerë.

ë)Ndaluar me kushtetutë që kryebashkiakët, Presidenti i Republikës dhe Kryeministri të zgjidhen për më shumë se dy mandate.

f) Hequr të gjitha pengesat ligjore që i bëjnë referendumet të pamundura.

Kongresi vlerëson se:

3) Hyrja e partisë ‘Zgjidhja’ në zgjedhjet e 30 qershorit nuk do t’i përmirësonte standardet e tyre të munguara dhe se zgjedhjet jo gjithpërfshirëse e përçajnë dhe e destabilizojnë edhe më keq Shqipërinë.

Prandaj vendosi që:

4) Partia ‘Zgjidhja’ të bojkotojë zgjedhjet e 30 qershorit dhe të kërkojë shtyrjen e tyre për në vjeshtë.

‘Zgjidhja’ fton edhe partitë e tjera që janë regjistruar në KQZ që të tërhiqen nga zgjedhjet e 30 qershorit.

5)’Zgjidhja’ apelon trupin diplomatik në Tiranë, veçanërisht selitë e vendeve të BE-së dhe atë të SHBA që me përgjegjësi të lartë në këtë situatë të informojnë qeveritë e tyre për rrezikun që i paraqitet Shqipërisë, por edhe rajonit, nga një konflikt i mundshëm i partive të vjetra, për të mbajtur apo rimarrë pushtetin. Ato duhet të bëjnë presionin demokratik që të zbatohet rekomandimi kryesor i OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e plotë të administratës zgjedhore dhe për garantimin me ligj të standardeve zgjedhore përmes një procesi gjithpërfshirës.

Miqtë ndërkombëtarë të popullit shqiptar të rrisin presionin mbi Qeverinë e Shqipërisë dhe mbi krerët e PD-LSI, që të ulen urgjentisht me të gjithë faktorët politikë dhe të tjerët të interesuar, për të firmosur një pakt kombëtar për dhënien fund të krizave që përsëriten në vend prej shumë vitesh.

Të fundit