“Do ta hedh në gjyq”, vjen reagimi i parë i Haradinajt: Rama ka të drejtat e veta, ia respektoj

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi në emisionin ‘Opinion’ se do të hidhte në gjyq kryeministrin në ikje të Kosovës, Ramush Haradinaj, vjen reagimi i këtij të fundit.

Në një lidhje telefonike për ‘News 24’, Haradinaj tha se Rama ka të drejtat e tij për të nisur padi ndaj Haradinajt, pas deklaratës së pak ditëve më parë se bashkë me Vuçiç e Thaçin do të ndanin 10 miliardë euro për ndarjen e Kosovës.

“Ajo do kishte pasoja të mëdha për planin politik të Kosovës dhe humbje të madhe për të. Rezervat më të mëdha në Europë gjendjen në Trepçë. Këto kanë qenë vendim legjitim i imi. S’kam koment për deklarata të tjera. Ai ka të drejtat e veta, ia respektoj. Unë i kam mbajtur ato qëndrime legjitime dhe vazhdoj t’i mbaj. Për Atdheun para se gjithash. S’dua të kaloj në qasje të tjera. I kam vëllezër kudo që janë shqiptarët, edhe të majtët dhe të djathtët. Detyra ime në mbrojtje të Kosovës, kjo është tokë e shqiptarëve, e të gjithë neve. Qëndrimi im kundër ndarjes është legjitim. I respektoj të gjitha të drejtat e kryeministrit, apo dhe të qytetarëve shqiptarë”, është shprehur Haradinaj.