“Do vras veten”, qytetari kërcënon nga çatia pas vendimit për shembjen e shtëpisë

Një qytetar ka hipur në majë të çatisë së tij te Liqeni i Thatë, i pajisur me sëpatë dhe thika. Ai kundërshton vendimin për shembjen e banesës duke kërcënuar me vetëvrasje. 

Klajdi shprehet për ‘News 24’ se shtëpinë e kanë shpallur zonë të mbrojur dhe do e shembin, por vlera e dëmshpërblimit është shumë e vogël në krahasim me atë që duhet të marrin.

“Kjo shtëpi ka vlerën e 430 mijë euro, ndërsa dëmshpërblim mund të marrim vetëm 63 mijë euro”, shprehet z. Peti. Ai shton se në atë banesë jetojnë 4 familje dhe se nuk kanë pse të lëvizin në shtëpi me qera kur kanë banesën e tyre. 

Familja Peti në 2005-ën kanë aplikuar për të legalizuar banesën, por në 5 janar 2018 i’u vjen shkresa se përjashtohen nga legalizimi, pasi zona ku është banesa është zone e mbrojtur. Në datën 25, familjarët pohuan se strukturat përkatëse kishin shkuar t’i prishin banesën. Duke marrë shkas nga kjo situatë familja Peti ka hedhur në gjyq çështjen, ndërsa dje u mbajt seanca e parë në Gjykatën Administrative.