Doktori në Itali: Situata është më shumë se dramatike, asgjë ndryshe nga një luftë

Italia ka konfirmuar mbi 17 mijë raste të infektuarish me koronavirus. Është shteti i dytë me më shumë të infektuarish dhe viktima dhe i pari në Europë.

Virusi ka marrë mbi 1000 jetë në Itali përfshirë edhe të disa mjekëve dhe infermierëve të cilët janë infektuar në shërbim të pacientëve. Në urgjencat e spitaleve punohet 24 orë në 24 pa pushim. Mjekët janë vërtetë heronjtë e kësaj situate.

Një nga infermierët e Spitalit të Piaçenzës në Emilia Romagna Roberta Re e cila humbi mikun dhe kolegun 59-vjeçar para pak ditësh, raporton për The Guardian: “Jam natyrë optimiste dhe e qeshur në përgjithësi. Kurrë në jetën time s’kam përjetuar një trishtim si ky. Situata është serioze. Sikundër në luftë edhe ne po përpiqemi t’i japim precedencë atyre që janë më të moshuar dhe kanë më shumë komplikacione…Jemi në luftë me një armik të panjohur për të cilin s`kemi armët klasike për ta mposhtur dhe kjo vështirëson misionin tonë”.

Nga urgjenca e  spitalit në Piaçenza, Andrea Vercelli, tha në një postim Facebook video: “Ky që po kalojmë nuk është një grip normal i zakonshëm, vijnë çdo ditë 40 raste me penumoni të thellë në urgjencë”.

Daniele Maçhini, doktor në  Spitalin Humanitas Gavazzeni në një nga provincat më të prekura në Bergamo në zonën e Lombardisë thotë në facebook-un e tij: “Situata është më shumë se dramatike, asgjë ndryshe nga një luftë. Lufta ka shpërthyer dhe vazhdon ditë dhe natë pa pushim”.