Dokumentet e kampit famëkeq të Tepelenës i dorëzohen Autoritetit të Dosjeve

Kryetari i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë në Tepelenë, Neim Pasha, i dorëzoi Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit fondin e plotë të materialeve arkivore që ka grumbulluar kjo shoqatë që në vitin e krijimit 1991. Tashmë, ky fond do të përpunohet sipas ligjit 45/2015.

“Kjo punë serioze kryer me dhembshuri dhe kujdes do na shërbejë të plotësojmë boshllëkun e informacioneve për Kampin e Tepelenës si dhe do të na ndihmojë të kontaktojmë dëshmitarët okularë”, u shprehën burime nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Neim Pasha nga Lopësi i Tepelenës i mbijetoi 21 viteve burgim dhe është përpjekur gjatë gjithë jetës të rrëfejë të vërtetën e të përndjekurve politikë gjatë viteve të diktaturës. Megjithëse ai nuk ka qenë mes personave që vuajtën dënimin në kampin famëkeq të përqendrimit “Reparti 84”, ai ka takuar shumë prej të burgosurve që jetuan 6 vite tmerri në këtë kamp të vendosur përballë Tepelenës.

 

I njohur edhe si “Aushvici” i Shqipërisë, kampi që grumbulloi rreth 5000 persona prej prillit të 1949 deri në mars të 1954 ishte simboli më i madh i terrorit edhe për popullsinë përreth. Në memorje të kujtimeve nga ish të dënuar të këtij kampi si dhe ngjarjeve që tronditën Tepelenën e asaj periudhe bashkia e qytetit në bashkë punim me disa ministri dhe Autoritetin e Hapjes së Dosjeve kërkon të rindërtojë si muzeum këtë kamp.

Ringritja e kampit për të risjellë kujtimin e mijëra familjeve kryesisht nga veriu i vendit që vuajtën punën e detyruar në prerje dhe transport druri për 6 vjet mendohet se do ta kthejë këtë vend në një prej objekteve më të vizituara të turizmit historik të zonës.