Dokumentet/ “Ideatori i ERTV?!”, Zhupa: Bashkia e Tiranës, 450 milion lekë tendera vetëm një njeriu

Bashkia e Tiranës o ka dhënë 450 milion lekë tendera vetëm një njeriu, që rezulton të jetë shoku i ngushtë i drejtorit të Veliajt, krahut të djathtë të tij, Ditjon Babocit (dhëndri i Fatmir Xhafës)!

Denoncimin e ka bërë zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, e cila ka publikuar edhe dokumentet.

“Mjafton shoqëria e duhur edhe i ke dyert e hapura për tendera në Bashkinë e Veliajt. Qytetarë të shumtë kane sinjalizuar se kompania “SON Engineering & Construction” merr tendera në Bashkinë Tiranë për shkak të njohjes dhe miqësinë me rrethin shoqëror te Veliajt”, thotë Zhupa.

Sipas saj kjo kompani që denoncojnë qytetaret ka si administrator Erind Bejlerin, i cili nga Bashkia Tiranë ka përfituar gjatë 4 viteve të fundit nga buxheti i shtetit, rreth 450 milionë lekë!

“Pyetjet që Veliaj duhet të përgjigjet para qytetarëve të Tiranës janë: Sa ka ndikuar miqësia e Bejlerit me drejtorin tënd dhe rrethin tënd shoqëror në marrjen e tenderave të Bashkisë Tiranë? Pse tenderat që fiton Bejleri duken qartë me konkurrencë fiktive? A kanë qenë ato të paracaktuara? A ndan pjesë të shumës së tenderave me drejtorin tënd apo me ty? Dhe një kuriozitet: A është Erind Bejleri edhe ideatori i ERTV?”, përfundon zëdhënësja e Partisë Demokratike.