Disa kongresmenë amerikanë, përmes draftit të depozituar rreth një javë më parë, mbështesin dekretin e datës 6 dhjetor të Presidentit Donald Trump, që njeh Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe kalimin e ambasadës së SHBA-së nga Tel Avivi drejt kryeqendrës së re. Përmes pr/rezolutës i bëhet thirrje Presidentit Trump që të udhëzojë Sekretarin e Shtetit që të paraqesë në Kongres një raport mbi statusin e ndihmës ndaj vendeve që votuan pro rezolutës në OKB.
Rezoluta e paraqitur nga Turqia u kundërshtua nga 9 vende, mes të cilave edhe SHBA dhe Izraeli, ndërsa 35 vende, mes të cilave 6 të BE-së, abstenuan. Shqipëria u rreshtua mes 128 vendeve që mbështetën rezolutën që kundërshtonte qëndrimin amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, ndërkohë që një qëndrim të tillë mbajti edhe Kina, Rusia, Serbia.