Dokumenti/ Projektligji i ‘Akademisë së Shkencave’, kush ishte deputeti me konflikt interesi ditën e votimit në Kuvend

Projektligjet e miratuara në fund të punimeve të Kuvendit u shoqëruan me debate të shumta.

I tillë ishte edhe projektligji për reformimin e Akademisë së Shkencave.

Mbledhja e fundit pati edhe braktisje të saj nga ana e kryetares, Fatjona Dhimitri, me arsyetimin se në variantin përfundimtar të projektligjit nuk janë reflektuar propozimet e disa akademikëve, si për shembull rasti i profesor Artan Fugës.

Por, duket se larg këtij debati ka qëndruar deputeti i PS, Anastas Angjeli. Siç duket edhe nga dokumenti i nënshkruar për deklarimin e gjendjes së konfliktit të interesit, deputeti socialist ka firmosur, duke deklaruar se është në konflikt interesi me çështjen e shqyrtuar nga Kuvendi “projektligji për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, për shkak se është njëherësh edhe deputet, edhe anëtar i ASH.

Ky nënshkrim është kryer më datë 18 korrik të këtij viti, ditën e fundit të seancës parlamentare.

Aktualisht Angjeli mban edhe funksionin sekretar i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste ne Komisioni për Ekonominë dhe Financat.

Projektligji i shumë debatuar dhe i kundërshtuar nga disa akademikë kaloi për miratim seancën e fundit më 18 korrik.