Flash News

KRYESORE

I doli emri te Raporti i UEFA-s, Ridvan Bode flet për skandalin e basteve te Skënderbeu

I doli emri te Raporti i UEFA-s, Ridvan Bode flet për skandalin e basteve

Raporti prej 93 faqesh i Organit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinimit të organizatës europiane të futbollit UEFA paraqet një hetim të thelluar mbi manipulimet e ndeshjeve të Skënderbeut të Korçës për qëllim vënien e basteve sportive si dhe për lidhjet mes futbollit, politikës, industrisë së basteve në Shqipëri dhe nëpër botë si dhe personave me dënime penale në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Raporti, i cili u publikua në internet të premten, ngre akuza të rënda jo thjeshtë ndaj skuadrës së Skënderbeut, por edhe për ish-ministrin e Financave Ridvan Bode, i cili akuzohet se ka kërcënuar një trajner duke i kërkuar të humbasë ndeshjen, për presidentin aktual, biznesmenin Ardjan Takaj, ish presidentin Agim Zeqo, gjithashtu biznesmen, si dhe për një numër të madh lojtarësh, trajnerësh e personazhe të tjera të sportit dhe biznesit në Shqipëri.

Pas publikimit të raportit të premten në mëngjes, UEFA bëri edhe një deklaratë të jashtëzakonshme për shtyp, në të cilën njoftoi se inspektorët e saj patën marrë kërcënime me vdekje nga burime anonime.

“Sot, Inspektorët Disiplinarë të UEFA-s që punojnë mbi këtë rast kanë marrë kërcënime anonime me vdekje, të cilat supozohet se synojnë t’i frikësojnë ata që të ndalojnë të kryejnë punën e tyre,” thuhet në njoftimin e publikuar mbrëmjen e së premtes. “Këto kërcënime nuk do t’ia dalin dhe policia është informuar,” vijon deklarata e UEFA-s.

Pyetur nga BIRN, Ridvan Bode, i cili ka drejtuar Ministrinë e Financave në vitin 1996 si dhe në vitet 2005-2013, i hodhi poshtë akuzat si thashetheme.

“Janë të njëjtat thashetheme të dy viteve më parë. Një qëndrim publik e kam mbajtur atëherë”, tha Bode duke iu referuar një deklarate të vitit 2016, ku ka hedhur poshtë në tërësi akuzat.

Skuadra e futbollit Skënderbeu, e cila ka fituar kampionatin shqiptar të futbollit rregullisht që nga viti 2011, mohoi që skuadra apo drejtuesit e saj të kenë lidhje me kërcënimet.

Të fundit