Flash News

KRYESORE

“A don ti shqiptar me fol shqip?” Ja fjalët e huaja që përdorim çdo ditë

“A don ti shqiptar me fol shqip?” Ja fjalët e huaja që

 “Pra, mallkue njai bir Shqiptari, Qi ketë gjuhë të Perendisë, Trashigim, s´ia len ai fmis.” 

Kështu shkruante At Gjergj Fishta në poezinë “Gjuha Shqype”. Por që atëherë kohët kanë ndryshuar shumë. Shqipja ka njohur ulje-ngritjet e saj dhe problemet nuk kanë qenë të vogla. Që në standardizimin e saj në vitin 1972, ishin jo të paktë zërat që thoshin se ajo tashmë kishte anuar më shumë drejt dialektit toskë duke shpërfillur atë gegë. Një diskutim i tillë rikthehet herë pas herë në sferën e debatit publik. Por më shumë se kjo, gjuha shqipe po përballet me një tjetër rrezik, akoma më të madh: fjalët e huaja.

Globalizimi dhe zhvillimi teknologjik ka bërë që shqipja të huazojë shumë fjalë të reja, për të cilat mund të gjenden sinonimet përkatëse në shqip. Duhet të mësohemi me faktin që shqipja, megjithëse një gjuhë e lashtë, është një gjuhë që flitet nga shumë pak njerëz, ndaj huazimi i fjalëve ka qenë dhe do të jetë i pashmangshëm. Por e rëndësishme është të mos teprohet. Për shumë nga këto fjalë, ne kemi sinonimet në shqip. Ja tetë prej tyre.

Akoma

Të gjithë e përdorim, madje shumë nuk do ta besojnë që është një fjalë e huazuar nga greqishtja. Kjo mund të zëvendësohet me fjalën ende apo përsëri, të cilat janë fjalë autentike shqiptare.

Insistoj

Kjo fjalë nuk ekziston fare në fjalorin e gjuhës shqipe. Në vend të saj duhet të përdorim ngulmoj apo këmbëngul.

Kallaballëk

Nuk e gjejmë shumë në tekstet e shkruara, por përdoret rëndom në bisedimet e përditshme. Ashtu siç edhe mund të kuptohet, është një fjalë me prejardhje turke dhe sinonimi në shqip është turmë.

Bravo

E kemi huazuar nga gjuha italiane, ashtu si edhe shumë fjalë të tjera. Duhet thënë se jemi lodhur kot, pasi në shqip kemi fjalën e bukur “të lumtë”.  

Konkluzion

E gjejmë shpesh herë në tekstet shkencore apo artikujt e gazetave, ku në fund kemi gjithmonë “konkluzionet” në vend të “përfundimeve”.

Presion

Presioni është shembulli i fjalës që bën pjesë në fjalorin e gjuhës shqipe, por gjithsesi ka një prejardhje nga gjuhët latine. Në vend të saj mund të përdorim fjalën shqipe trysni.

Eksperiencë

Të gjithë ata që po kërkojnë një vend pune, e dëgjojmë me dhjetra herë në ditë. Por megjithatë, kjo nuk e bën fjalën eksperiencë një fjalë shqipe. Ajo duhet zëvendësuar me fjalën përvojë.

Progres

E lexojmë dhe e dëgjojmë shpesh në lajmet politike dhe ato të integrimit europian. “Shqipëria ka bërë progres” apo “Ky është progres-raporti për Shqipërinë” janë ndër frazat më të zakonshme. Është përdorur aq shumë kjo fjalë, saqë vështirë se mund të kufizohet përdorimi i saj, shkruan Pikkom.

Gjithsesi, sinonimi në shqip është përparim.

Natyrisht që shqipja nuk mund të izolohet nga gjuhët e tjera dhe zhvillimi i teknologjisë. Për fjalë të tilla si “kompjuter”, “iPad” apo “dixhital” që vijnë nga bota teknologjike, është i pashmangshëm huazimi. Por shqipja duhet të përcaktojë qartë se cilat do të jenë fjalët e huazara, duke treguar edhe rregullat gramatikore dhe drejtshkrimore për to. Gjithashtu, një përgjegjësi në këtë drejtim përveç institucioneve shtetërore përgjegjëse, kanë edhe mediat, të cilat duhet të kujdesen për përdorimin e saktë të gjuhës shqipe.

Të fundit