Donacionet për tërmetin, Shano: Konferenca e donatorëve, apo e kreditorëve?

Eksperti i ekonomisë Dritan Shano mendon se konferenca e sotme që u mbajt në Bruksel për donacionet për Shqipërinë i ngjante një konferencë kreditorësh.

Shano arsyeton se shumica e donacioneve janë hua, ndërsa shton pyetjen sesi do ta shlyejë qeveria shqiptare këtë borxh.

Në Facebook, ai shkruan se mbetet të shihen kushtet që do paraprijnë dhe shoqërojnë si grantet ashtu dhe kredite e premtuara.

Shano arsyeton se qeverisë do t’i duhet të rishikojë përsëri buxhetin e vitit 2020.

Lidhur me transparencën e menaxhimit të fondeve, eksperti i ekonomisë  shprehet se u theksua nga shumë pjesëmarrës në Konferencë, çka sipas tij tregon vetëdijen dhe nevojën e donatorëve dhe kreditorëve për garanci që paratë do shkojnë në destinacion.

Statusi i plotë

Shifra prej me shumë se 1 miliard EUR e premtuar në konferencën e organizuar në Bruksel në ndihmë të Shqipërisë së prekur nga tërmeti është impresionuese.

-Nje falenderim i madh të gjithë vendeve që u solidarizuan me shqiptarët në nevojë, që premtuan para në ndihmë të shqiptarëve, veçanërisht Italisë, e cila nuk zhgënjeu në angazhimin e saj të përhershëm ndaj vendit tonë; por edhe Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për masën dhe konkretësinë e ndihmës së premtuar prej tyre.

-Nga kompozimi i premtimeve në grante dhe kredi, ku dominon në mënyrë absolute kredia (80%), kjo nuk ishte Konferenca e Donatorëve por Konferenca e Kreditorëve.

-Mbetet të shihen kushtet që do paraprijnë dhe shoqërojnë si grantet ashtu dhe kredite e premtuara. Njohja e tyre do na jepte një ide të qartë për kalendarin e disbursimeve të këtyre premtimeve; për rolin dhe detyrat që duhet të përmbushë qeveria dhe Kuvendi i Shqipërise, që të mos bëhen pengesë për disbursimin e shpejtë të këtyre fondeve të premtuara.

-Cili do te jetë roli i Qeverisë Shqiptare në menaxhimin e këtyre granteve dhe kredive? Proçedurat do kryhen nga shtetet apo insitucionet kredidhënëse, apo nga Qeveria Shqiptare? Në rast se do kryhen nga shtetet dhe institucionet kjo do të tregojë besimin e ulët tek aftësitë, kapacitetet dhe transparanca e qeverisë shqiptare ne menaxhimin e këtyre fondeve; njëherësh do rrisë dhe paqartësinë e kalendarit të disbursimit të premtimeve.

-Është e qartë se qeveria do duhet të rishikojë përsëri buxhetin e vitit 2020. Parashikimi i kostove lokale që do duhet të përballojë është ende i paqartë. Mbetet për t’u parë nëse kredia e premtuar do ndikojë në stabilitetin makroekonomik te vendit. Kapacitetet e ulëta absorbuese të vërejtura në dekadën e fundit paraqesin risk për thithjen e fondeve dhe zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sociale të popullsisë së prekur nga tërmeti.

-Transparenca e menaxhimit të këtyre fondeve u theksua nga shumë pjesëmarrës në Konferencë, çka tregon vetëdijen dhe nevojën e donatorëve dhe kreditorëve për garanci që paratë do shkojnë në destinacion.