KRYESORE

Donald Lu takohet me gazetarët e paditur nga Gjin Gjoni: Beteja juaj, është beteja jonë

Donald Lu takohet me gazetarët e paditur nga Gjin Gjoni: Beteja juaj,

Në një postim në faqen në Facebook të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Lu ndau një foto nga takimi me katër gazetarët me diciturën “Beteja juaj, është beteja jonë” dhe me hashtagun “Nuk do të hiqja asnjë presje”.

Me pretendimin se raportimet mbi hetimet penale dhe vendimet gjyqësore përkatëse mbi pasurinë e tij familjare i kanë shkaktuar cënim të imazhit, dëm jomaterial dhe dhimbje e vuajtje shpirtërore, gjyqtari Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi ngritën një padi ndaj 4 gazetarëve dhe kërkojnë në total 11 milionë lekë (€82,000) dëmshpërblim.

Në një shkrim të mëparshëm, BIRN deklaroi se i qëndron shkrimeve të publikuara dhe se është e gatshme të përballet në gjykatë me të gjitha pretendimet, duke e konsideruar padinë civile të ngritur nga gjyqtari si të pabazë.

Në seancën e parë të çështjes gjyqësore ndaj Shqptarja.com, Doçit dhe Qynos të mbajtur të enjten, gjyqtarja e çështjes Blerina Muça dha dorëheqjen për shkak të konfliktit të interesit.

Gjyqtarja tha se për shkak se njëri nga paditësit, Gjin Gjoni, është gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe ish-gjyqtar i Gjykatës së Tiranës e ish-koleg i gjyqtares, ajo nuk mund të gjykonte çështjen.

Tani pritet që kërkesa e gjyqtares Blerina Muça t’i kalojë kryetarit të Gjykatës ndërsa ky i fundit duhet t’i drejtohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë me kërkesën për të emëruar një gjyqtar pa konflikt interesi me palën paditëse, një procedurë që nuk dihet se sa do të zgjasë dhe për këtë arsye, gjyqtarja refuzoi të caktojë një datë për seancën pasardhëse.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është institucioni që ka autoritetin të delegojë një gjyqtar nga një gjykatë tjetër. Gjoni, është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që nga viti 2013.

Seanca e parë e çështjes ndaj BIRN dhe gazetarëve Likmeta e Bogdani është përcaktuar më 5 korrik.(Birn)

 

Të fundit