Flash News

KRYESORE

Donkishotizmi shovinist i Greqisë

Hajro Çini

Në çmendurinë e saj mendjeshkurtër dhe destruktive, Greqia nënshtroi narko-qeverinë shqiptare për të hapur një varrezë të re “ushtarësh” grekë të vrarë në një luftë midis Italisë dhe Greqisë. Çfarë ishte ajo luftë, pse u bë dhe cili ishte shkaku?!

Kur Musolini bëri një akt të papërgjegjshëm ushtarak kundër Shqipërisë më 7 prill 1939, duke e sulmuar dhe pushtuar pa asnjë provokim apo shkak, pa filluar ende Lufta e dytë Botërore, askush nuk bëri zë, veç Gjermanisë, e cila e dënoi si akt agresioni, dhe Departamentit të Shtetit, i cili bëri një deklaratë sa për të larë gojën. Të gjithë të tjerët e mbështetën ose haptazi, ose nën zë.

Pushtimi i Shqipërisë ishte paravendosur, në një mënyrë tjetër, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1915, ku Anglia, Franca, Italia dhe Rusia kishin shprehur vendosmërinë dhe urrejtjen e pajustifikuar ndaj kombit shqiptar dhe vendosur zhdukjen e tij nga harta.

Musolini i ndodhur në disavantazh moral, politik, ushtarak dhe ekonomik ndaj Hitlerit e justifikoi, para tij, këtë ndërhyrje si mënyrë për të vendosur drejtësinë në Ballkan. Paradoksalisht, padrejtësitë ndaj kombit shqiptari i kishte denoncuar Trocky në cilësinë e ministrit të Jashtëm të BRSS.

Pasi mbaroi punë me Shqipërinë, Musolini sulmoi Jugosllavinë duke i shkëputur prej saj Kosovën dhe bashkangjitur Shqipërisë. Hapi tjetër ishte Çamëria. Musolini i paraqiti Metaksait dokumentacionin e Gjeneral Telinit, nga ku Çamëria ishte pjesë e Shqipërisë. Gjeneral Telini ishte i dërguari i Ligës së Kombeve për të zgjidhur çështjen e kufirit greko-shqiptar, por aktiviteti i Telinit shkonte kundër shovinizmit grek, dhe për këtë grekët e vranë. Musolini e rihapi dhe e vuri Greqinë me shpatulla pas murit, duke e akuzuar, me fakte, si shtet bandit dhe pushtues.

Britania e Madhe luajti një lojë jashtëzakonisht negative dhe të pabesë. Ndërkohë që privatisht i jepte të drejtë Italisë në këtë çështje (prandaj Çurçilli urdhëroi vrasjen e Musolinit, që të mbyllte disa pazare që Anglia kishte pasur me të), siguronte Greqinë se në rast se ajo nënshkruante një pakt me Britaninë, do ta mbronte nga Italia. Greqia pranoi konditat e Musolinit dhe premtoi se pas një rezistence simbolike do të tërhiqej nga Çamëria. Musolini ngarkoi Badolion të organizonte një trupë ushtarake 50,000 dhe të bashkonte Çamërinë me Shqipërinë. Badolio kërkoi 500,000 ushtarë për këtë detyrë, gjë që nuk u aprovua dhe Badolio u arrestua. Greqia nuk e nderoi marrëveshjen me Italinë dhe e mbështetur nga Anglia iu kundërvu ushtrisë së papërgatitur italiane. Italia nuk pati suksesin që gëzoi në Jugosllavi, gjë që detyroi Gjermaninë, kur hyri në Ballkan, të degjeneronte Greqinë brenda 14 ditësh.

Shqipëria edhe pse e dëmtuar nga Greqia, që i kishte aneksuar Çamërinë, nuk ishte as lojtar dhe as faktor në atë ndeshje, sepse ishte vetë e pushtuar. Sot nënshtrohet përsëri me këtë marrëveshje të fshehtë të bërë nga një narko-qeveri e papërgjegjshme shqipfolëse.

Ku janë shqiptarët?! Të varfër, konfuzë, të papërgatitur, të uritur dhe për fat të keq me ndërgjegje kombëtare të shuar.

Ku janë çamët?! Të etur për pushtet dhe para dhe shpesh të përfaqësuar në parlament nga kriminelë.

Ku është shoqëria civile?! Në xhepat e Sorosit.

Ku janë nacionalistët?! Shpesh duke parë deri tek maja e hundës së tyre, apo duke denoncuar, me inkoherencë, gjëra që nuk mund të jenë sot në rendin e ditës.

Megjithë situatën e pashpresë, në fund të fundit, fjalën e fundit, në kohën e përshtatshme, do ta thotë vetë Zoti. Por që të kemi përkrahjen e tij, duhet të fillojmë të punojmë vetë, të rrisim ndërgjegjen tonë kombëtare, ndërgjegjen njerëzore dhe nivelin kulturor. Vetëm atëherë ne mund të dalim në fushë dinjitozë, siç ishim me Pirron apo Skënderbeun kur ishte koha e shpatës, apo me Dr. Rugovën dhe Dr. Berishën kur erdhi koha e diplomacisë.

Të shporrim sa më parë narko-qeverinë që po na zë frymën, ti hapin sytë shqiptarëve për dëmin antikombëtar që na bëri komunizmi, dhe të dalim para botës ashtu si na e tregon tradita, siç këshillon edhe Vaso Pasha: “Të desim si diqën Burrat e Motit, e mos marrohna përpara Zotit”

Të fundit