Flash News

KRYESORE

Dorëheqja e Saimir Tahirit, vjen reagimi i parë nga partia e kancelares Merkel

Deputeti i CDU/CSU Throsten Frei thotë se procesi i integrimit të Shqipërisë është një proces i gjatë dhe i shoqëruar me reforma të thella. Në një intervistë për “Gazetën Shekulli”, deputeti gjerman e komenton edhe largimin e Tahirit si një hap të rëndësishëm përpara.

“Shqipëria ka bërë një progres të konsiderueshëm në ekonomi, politikë dhe në termat kushtetues. Kam një respekt të madh për Shqipërinë dhe njerëzit e saj. Është e qartë po ashtu që përpjekjet e mëtejshme reformuese janë tepër të nevojshme. Më shumë shtet i së drejtës do të sillte më shumë investime të huaja, punë dhe ekonomi. Dorëheqja e z. Tahiri është një hap i mirë. Megjithatë, faktori përfundimtar do të jetë që gjyqësori do të kryejë tanimë një procedurë kushtetuese dhe se një ish-ministër do të trajtohet njësoj si një qytetar i zakonshëm para ligjit”, u shpreh deputeti gjerman.

Ai ka kërkuar që të bëhet më shumë për vettingun në mënyrë që të kalojnë një numër më i lartë zyrtarësh në kontroll.

“Progresi është i padiskutueshëm, megjithatë rruga është ende larg. Nëse në procesin e vettingut kontrollohen vetëm 800 gjyqtarë dhe prokurorë kjo sipas mendimit tim nuk është pak”, tha Frei, i cili foli edhe për pikat kritike ku duhet ndërhyrë për Shqipërinë.

“ Lufta e mëtejshme e krimit të organizuar dhe korrupsionit janë më imediate. Duhet të ketë një ritëm më të shpejtë në procesin e verifikimit dhe një reformë zgjedhore që përputhet me rekomandimet e OSBE-së dhe Komisionit të Venecias”.

Frei foli edhe për Samitin e Sofies dhe rëndësinë e këtij takimi për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të fundit