Flash News

KRYESORE

Dorëheqje apo në pension? James Mattis largohet nga detyra e Sekretarit të Mbrojtjes

Dorëheqje apo në pension? James Mattis largohet nga detyra e

Sekretari i Mbrojtjes James Mattis do të largohet nga posti që mban në muajin shkurt, sipas një njoftimi të presidentit Trump të enjten.

"Gjenerali Jim Mattis do të dalë në pension, me nder, në fund të muajit shkurt, pasi ka shërbyer në administratën time si Sekretar i Mbrojtjes për dy vitet e shkuara", sipas postimit të presidentit Trump në twitter. "Gjatë kohës që shërbeu, u arrit përparim i jashtëzakonshëm, veçanërisht përsa i përket blerjes së pajisjeve të reja luftarake. Gjenerali Mattis ka qënë një ndihmesë e madhe për mua për t'i bërë aleatët dhe vendet e tjera të paguajnë pjesën e tyre të detyrimeve të mbrojtjes. Sekretari i ri i Mbrojtjes do të emërohet së shpejti. Një falenderim i madh për Jim-in për shërbimin e tij!"

Lajmi për largimin e zotit Mattis doli një ditë pasi presidenti Trump njoftoi se trupat amerikane do të largohen nga Siria, një vendim që Pentagoni e ka kundërshtuar.

Ndërsa presidenti Trump tha se Mattis po del në pension, vetë Mattis, në një letër dërguar presidentit, lë të kuptohet se ai po dorëhiqet.

"Sepse ju keni të drejtë të keni një Sekretar Shteti, pikëpamjet e të cilit të jenë më të përputhura me tuajat, për këto dhe çështje të tjera, besoj se do të ishte më mirë për mua të tërhiqem nga posti që mbaj", i shkruan ai presidentit Trump, raporton ‘Voa’.

Veç Sirisë, mes tyre ka patur tensione edhe përsa i përket presidentit rus Vladimir Putin.

Sekretari Mattis beson se presidenti Rus synon të minojë NATO-n dhe të dëmtojë demokracitë Perëndimore.

Një tjetër mosmarrëveshje mes tyre kishte të bënte me marrëveshjen bërthamore për Iranin. Sekretari Mattis argumentonte se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të largoheshin nga marrëveshja, nëse nuk vërtetohej se Irani po e shkelte atë.

Zërat se sekretari Mattis do largohej kishte muaj pë qarkullonin.

Jim Mattis u bë Sekretar i Mbrojtjes pak pas fillimit nga detyra të presidentit Trump dhe është një nga anëtarët më jetëgjatë të kabinetit.

Para se bëhej sekretar i mbrojtjes ai kishte shërbyer për 44 vjet me forcat e marinës dhe ishte komandant i trupave amerikane dhe britanike gjatë luftimeve për marrjen e qytetit të Falluxhës në Irak, në vitin 2004.

Të fundit