Flash News

KRYESORE

Dorëhiqet Fatmir Xhafaj

Fatmir Xhafaj është dorëhequr mëngjesin e sotëm nga posti i ministrit të Brendshëm të Shqipërisë. Lajmi është konfirmuar nga vetë kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në 'Twitter'. Rama njofton se Xhafaj do të zëvendësohet në detyrën e rëndësishme nga Sandër Lleshi, ish-zv/Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse", shkruan kryeministri Rama.

Fatmir Xhafaj u emëruar në krye të Ministrisë së Brendshme më 24 mars të 2017-ës, detyrë që e mbajti deri më 18 maj, kur u largua pas marrëveshjes së arritur nga Edi Rama dhe Lulzim Basha. Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare te 25 qershorit, Xhafaj u rikthye nga Rama në krye të punëve të brendshme të Shqipërisë.

Reputacioni i Xhafajt u godit fortë kur Partia Demokratike publikoi një audio-përgjim ku pretendohej se vëllai i tij, Agron Xhafaj, vijonte trafikun e drogës drejt Italisë. Kjo ngjarje konfirmoi një skandal edhe më të madh për faktin se Agroni rezultonte i dënuar me burg në Itali, ndërkohë që jetonte i lirë në Shqipëri. Publikimi i audio-përgjimit e detyroi Agron Xhafajn të dorëzohej pranë autoriteteve italiane.

Opozita e drejtuar nga Lulzim Basha ka kërkuar prej muajsh dorëheqjen e Xhafajt si ministër i Brendshëm, por kjo ishte refuzuar deri më tani nga kryeministri Rama.

Kush është Sandër Lleshi, ministri i ri i Brendshëm; puna si këshilltar i Ramës dhe konfliktet me Berishën kur drejtonte ushtrinë

Të fundit