‘Dorëzohet’ OBSH, konfirmon ‘dëshmitë e reja’ të transmetimit të koronavirusit nga ajri

Organizata Botërore e Shëndetit konfirmoi se ekzistojnë “dëshmi të reja” të transmetimit nga ajri të koronavirusit. Deklarata e saj vjen pas publikimit të letrës së nënshkruar nga 239 shkencëtarë, të cilët i kërkuan agjencisë të rishikonte edhe njëherë rekomandimet për infeksionin e Covid, përfshirë edhe transmetimin në ajër të virusit.

Dr Benedetta Alleganzi, Udhëheqësi Teknik i OBSH-së për Parandalimin dhe Kontrollin e Infeksioneve, tha gjatë një briferi të martën, se agjensia ka diskutuar dhe bashkëpunuar me shumë nga shkencëtarët që nënshkruan letrën dhe ka prova bindëse që provojnë se koronavirusi transmetohet edhe përmes ajrit, çka e bën edhe më të vështirë frenimin e përhapjes së tij.

“Ne e pranojmë që ekzistojnë dëshmi në këtë fushë, si në të gjitha fushat e tjera në lidhje me virusin dhe pandeminë Covid-19 dhe për këtë arsye besojmë se duhet të jemi të hapur për këtë provë dhe të kuptojmë implikimet e saj në lidhje me mënyrat e transmetimit dhe gjithashtu në lidhje me masat paraprake që duhen marrë ”, tha Alleganzi.

Mjekja e sëmundjeve infektive Maria Van Kerkove, nga Programi i Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, tha se shumë nga nënshkruesit e letrës janë inxhinierë, “gjë që shton njohuri në rritje për rëndësinë e ventilimit, që ne mendojmë se është shumë e rëndësishme”. “Ne kemi folur për mundësinë e transmetimit në ajër dhe transmetimit aerosol si një nga mënyrat e përcjelljes së Covid-19”, tha Van Kerkove.

Ajo theksoi se agjensia është duke punuar në një përmbledhje shkencore, e cila do të mund të përmbledh të gjitha njohuritë e arritura deri tani për transmetimin e virusit vdekjeprurës. Ky punim do të jetë i disponueshëm në javët e ardhshme. Alleganzi theksoi se kërkohen më shumë kërkime për transmetimin Covid-19. “Pra, këto janë fusha të studimit që janë me të vërtetë në rritje dhe për të cilat ka disa prova që dalin, por nuk janë përfundimtare,” tha ajo. “Prandaj, mundësia e transmetimit të ajrit në ambiente publike, veçanërisht në kushte shumë specifike, ambiente të mbushura, të mbyllura, të ajrosura dobët që janë përshkruar nuk mund të përjashtohen. Sidoqoftë, provat duhet të mblidhen dhe interpretohen”.