Flash News

KRYESORE

Doris Pack kritika të ashpra Ramës dhe Veliajt për Teatrin Kombëtar: Mos anashkaloni Këshillin Bashkiak; ligji juaj pastron paratë

Doris Pack kritika të ashpra Ramës dhe Veliajt për Teatrin

Politikania e njohur gjermane, Doris Pack i është bashkuar sot protestës së qytetarëve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Në fjalën që mbajti te teatri, Pack kritikoi qeverinë e Edi Ramës për faktin se Bashkimi Evropian i ka dhënë para për të ruajtur trashëgiminë kulturore, ndërkohë që këto para po përdoren për ta shkatërruar këtë trashëgimi.

Ish-eurodeputetja theksoi se ligji i kaluar në Kuvend, pa votën e kryeministrit Rama, ka për qëllim pastrimin e parave ndërkohë që banorëve të Tiranës nuk u duhen gjashtë kulla të reja në atë vend.

“Ne ju kemi dhënë para për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe ata po përdorin këto para për të shkatërruar trashëgiminë kulturore. Një qytet ka nevojë për vende të tilla, ky është një vend i jashtëzakonshëm që duhet ruajtur patjetër. Nuk mund ta kuptoj se si një qytet të kalojë ligje të tilla që përdoren vetëm për të pastruar para. Nuk e kuptoj se për çfarë ju duhen gjashtë kulla të reja?”,- u shpreh Pack në protestë.

Doris Pack kritikoi ashpër kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për shmangien e Këshillit Bashkiak nga vendimmarrja për këtë çështje. Ajo theksoi se nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian duhet t’i respektojë këto institucione të pavarura.

“Nëse ky vend duhet të shkojë drejt BE-së, duhet të respektojë institucionet, dhe këshilli bashkiak që është anashkaluar nga ky ligj është një institucion i pavarur. Nuk ka ligj që mund të anashkalojë këshillin bashkiak të Tiranës që është pronar i vetëm i kësaj hapësire. Jam e interesuar për këtë situatë dhe ky ligj që kaloi dje në Parlament pa votën e kryeministrit është i gabuar. Unë nuk arrij të kuptoj se si vendimmarrja e anashkalon zërin e njerëzve, nëse doni të shkoni në BE duhet të dëgjoni zërin dhe shqetësimet e njerëzve”, u shpreh politikania gjermane.

Të fundit