Flash News

KRYESORE

‘Dosja Habilaj’,  rolet që kishin tre zyrtarët e policisë në trafikun e drogës

‘Dosja Habilaj’,  rolet që kishin tre zyrtarët e

Gjergj Kohila, Jaeld Cela dhe Sokol Bode janë tre ish-zyrtarë të lartë të policisë të cilët janë pjesë e asaj që njihet si dosja ‘Habilaj’. ‘BalkanWeb’ siguron pjesë nga dosja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për çështjen “Habilaj-Tahiri”, ku përmenden rolet që kishin tre ish-drejtuesit e policisë në grupin e trafikut të drogës.

Në dosjen, thuhet se Sokol Bode iu ka ofruar ndihmë dhe ka mbajtur lidhje me trafikantët Habilaj që të realizonin me sukses trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

“Nga hetimet e kryera rezulton se pjesëmarrës të këtij grupi kriminal janë edhe shtetasit Sokol Bode, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Dhërmi, i cili ka mbajtur lidhje duke ju ofruar ndihmë dhe mbështetje anëtarëve të këtij grupi kriminal me qëllim realizimin e trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë”, thuhet në dosjen e siguruar nga “BalkanWeb”.

Nga ana tjetër një rol aktiv siç thuhet në dosje rezulton të ketë pasur edhe shefi i Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve Gjergj Kohila, i cili thuhet të ketë bashkëpunuar drejtpërdrejt me trafikantët.

“Po ashtu rezulton se ka dyshime për faktin se shtetasi Gjergj Kohila, me detyrë Shef Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë ka mbështetur dhe ka bashkëpunuar me anëtarët e këtij grupi kriminal në kultivimin e bimëve narkotike dhe më pas trafikimin e saj”, sqarohet në dosje.

“Gjithashtu, nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi Jaeld Cela, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së policisë Vendore Vlorë në bashkëpunim me punonjësit e policisë Gjergji Kohila, Sokol Bode dhe punonjës policie të tjerë, kanë mbështetur, garantuar e bashkëpunuar me anëtarë të grupeve kriminale për kultivimin e bimëve narkotike, më pas trafikimin e saj jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera.

Të fundit