All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

KRYESORE

Dossier/ Hoxha dhe marrdhëniet me Greqinë: Nga 'janë të paturpshëm këta grekët' te libri 'Dy popuj miq'

Dossier/ Hoxha dhe marrdhëniet me Greqinë: Nga 'janë të
All - Paragraf - 1

A mendonte vërtet Enver Hoxha se Shqipëria dhe Greqia ishin dy popuj miq? Një vit para botimit të librit të tij, E.Hoxha kishte mendim të kundërt, madje edhe i shante dhe mbante qëndrim kritik

All - Paragraf - 3

Himara është bërë gjithmonë mollë sherri në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Nuk është rastësi konflikti i fundit i qeverisë “Rama 2” me banorët, apo edhe me Athinën zyrtare, e cila po mban tone të ashpra ndaj qeverisë shqiptare, pikërisht për çështjen e pronave të Himarës. Edhe më herët Himara ka gjeneruar konflikte që kanë pasur pasoja, jo vetëm në politikën dypalëshe, por edhe më gjerë. Marrëdhëniet me Greqinë kanë shqetësuar vazhdimisht edhe regjimin e mbyllur komunist të Tiranës, sidomos në vitet '70-'80. Nuk ishte fjala për minoritetin grek, por për qëllimiet e Greqisë që, tradicionalisht, kanë qenë kundra shtetit shqiptar.

Pas vitit 1974, edhe pse ndryshoi regjimi në Greqi, nuk pati përmirësime në marrëdhëniet mes dy shteteve. Aq më tepër kur, herë pas here, në Greqi, në politikë e median greke, lakohej togfjalëshi Vorio-Epir. Po si mund të tingëllonte termi Vorio-Epir mes zyrtarëve komunistë dhe si përpiqej Greqia të shënonte një precedent në 1983, përmes një letre dërguar qeverisë shqiptare të kohës? Gjatë një mbledhje të sekretariatit të Komitetit Qendror, datë 16 dhjetor 1983, Enver Hoxha dhe gjithë Byroja Politike, shprehej me fjalët më të ashpra për Greqinë dhe politikën e saj antishqiptare.

Ndër shumë çështje kryesisht të ekonomisë së vendit, por edhe të politikës ndërkombëtare, të pranishmit në këtë mbledhje, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Lenka Çuko dhe Vangjel Çërrava etj, kanë diskutuar edhe për një varg çështjesh diplomatike e historike. Duke u nisur nga një letër dërguar nga Athina për verifikimin e një personi në Himarë, duke e cilësuar me termin Vorio-Epir, nisin diskutimet rreth marrëdhënieve të vështira me grekët.

Enver Hoxha kalon deri në cilësime si  “të paturpshëm” dhe ngre akuza se pas kësaj teze fshihej kleri i Kishës ortodokse greke. Sekretarët e Komitetit Qendror, diskutojnë më tej për qëndrimin e drejtë që mbajti shteti i drejtuar prej tyre, me luftën që bëri ndaj fesë, dhe se si trajtohen ish-myslimanët dhe ish-katolikët.

***

Ja nje pjesë nga këto diskutime, sipas protokollit të mbledhjes:

“SHOKU RAMIZ ALIA: Sot apo dje, shoku Enver, ambasada greke i kishte dërguar Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme një letër nga Athina me anën e së cilës kërkonte disa të dhëna, njëfarë notifikimi për një person nga Himara, nga “krahina e Vorio-Epirit”.

SHOKU ENVER HOXHA: U!?

SHOKU RAMIZ ALIA: Shokët e Ministrisë ia kishin bërë mirë. Një t’ia kthyer notën mbrapsht pa i bërë asnjë përgjigje vetëm duke u vënë në dukje se një emërtim i tillë nuk ekziston në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Në rregull. Janë të paturpshëm fare këta grekët.

SHOKU RAMIZ ALIA: Duket ata duan të krijojnë precedentë, duke menduar se po na kaloi njëherë miu nën mjekër dhe pastaj bëhet rrugë.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe pastaj “festojmë çlirimin e Korçës nëpër kisha”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Del qartë, shoku Enver, se pjesa më reaksionare e përkrahësve të çështjes së Vorio-Epirit, është kleri i kishës. Zaten kleri grek gjithnjë i tillë ka qenë. Ai gjithnjë ka pasur në Greqi një pozitë sui generis. Atje edhe Presidenti i republikës betimin përpara dhespotit e bën. Shteti grek nuk është laik dhe kisha në këtë vend ka pushtet shtetëror.

Ose të marrim një fakt tjetër, atë të artikullit që bëmë ne kundër vizitës së peshkopit Serafin në Serbi. Kjo do të thotë që ai ka pushtet në Greqi.

Ja, sikur të na shanin ne Dom Ernest Çobën në kohën tonë, punë e madhe, as që do t’ia vinim veshin një ngjarjeje të tillë.

SHOKU ENVER HOXHA: More, ma kujtove Dom Ernest Çobën që edhe agjent u bë, po nuk mbaj mend vdiq apo si përfundoi çështja e tij?

SHOKU RAMIZ ALIA: Kur u zhdukën institucionet fetare, ai u bë bahçevan në komunale, ku punoi deri sa doli në pension. Pastaj vdiq....”

***

Pas kësaj, Enver Hoxha, brenda një viti, ndryshoi qëndrim. Ai në vitin 1985, vitin e vdekjes së tij, botoi librin “Dy popuj miq”. Po a ishin vallë “dy popuj miq”, shqiptarët dhe grekët?

Në letërsi, në arte, por edhe në politikë, Greqia filloi të shikohej me një sy tjetër, si popull “mik”, pas botimit të veprës së diktatorit dhe nuk u lejua më që të shaheshin grekët e kisha. Shteti shqiptar bëri shumë lëshime, ndryshe nga më parë. Kemi botimin e disa librave të autorëve të minoritetit, botimi i gazetës “Llaiko Vima”, filmit “Misioni përtej detit”, këngë për minoritetin dhe “dashurinë e pastër” etj. Po ashtu edhe në poltikë angazhimin e disa minoritarëve në poste kyçe qeveritare. Shumë bij nga minoriteti u shkolluan në Tiranë në degë të kërkuara si Mjekësi, Gjuhët e Huaja, Ekonomi, Mësuesi etj.

Në 71 vëllimet e veprave të tij, por edhe në librin e tij “Dy popuj miq”, një libër mbi marrëdhëniet greko-shqiptare, Enver Hoxha mundohet të gjejë miqësinë aty ku armiqësia dhe urrejtja kanë rrënjë të thella. Këtë tezë e rimori më vonë edhe James Pettifer, ekspert për Ballkanin Jugor, aktualisht profesor në Universitetin e Oksfordit, dhe ai konkludoi se “nuk bëhet fjalë për dy popuj miq”. As në kohën e Enver Hoxhës, as në vitet '90, kur vala e refugjatëve të varfër shqiptarë, pa asnjë kacidhe, shkoi në Greqi. Në fillim ata u mirëpritën nga grekët, të cilët siguruan ushqim për gojët e uritura dhe këpucë për të zbathurit.  

Megjithë politikën dhe reagimet greke për mungesën e lirisë në Shqipëri, gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, realiteti i mundimshëm ishte se politika e Hoxhës e izolimit dhe siguria e fortë kufitare i përshtatej interesave strategjike greke poshtë në terren, deri te përfitimet e çuditshme si sasitë e mëdha të parave që junta e kolonelëve arriti të marrë nga NATO-ja për përmirësimin e rrugëve të Epirit në përgjigje ndaj një ‘kërcënimi’ inekzistent të sigurisë nga Shqipëria. Si rezultat, dy vendet ishin teknikisht në luftë për shumë vjet dhe marrëdhëniet diplomatike nuk u rivendosën deri në vitet ’70.Vetëm pas ardhjes së qeverisë së PASOK-ut në pushtet në vitin 1981, lidhjet tregtare dhe ekonomike filluan të zhvilloheshin normalisht. Është ndoshta domethënëse që zëvendësministri i Jashtëm shqiptar i asokohe, Sokrat Plaka, ishte, siç e thotë në mënyrë grafike emri i tij, me origjinë nga minoriteti grek.Enver Hoxha nuk ishte as mik i grekëve, as armik i tyre. Në thelb ishte një kompromis i heshtur, “diplomatik”, të cilit ia pa hajrin më shumë diktatori shqiptar, sepse “mbretëroi” sa ishte gjallë…

 Politiko.al

Të fundit