Flash News

KRYESORE

Dossier/ Letra e partizanes "Furtuna' për Enverin: Kanë plasur kurvëritë në Brigadën e VII-të

Sot është 76-jetori i themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Është partia që drejtoi Shqipërinë për 50 vjet nën një diktaturë të hekurt. Përmes propagandës, komunistët ndërtuan historinë e tyre të mbushur me 'lavdi', shumica e të cilave nuk kanë ekzistuar kurrë.

Breza të tërë shqiptarësh e jetësuan në memorien e tyre versionin e gabuar të historisë së kësaj partie. Ende nuk ka një version zyrtar të kësaj historie ndërkohë që ka mjaft historianë të kohëve të sotshme që vazhdojnë ta mbrojnë atë pjesë të gënjeshtërt të historisë së PKSH-së që u transforumua në PPSH, e në vitin 1991 në PSSH.

Ka një anë të errët të kësaj historie që ka nisur të zbulohet e të publikohet nëpër media. Pa hyrë ne detaje të debateve të shumta që kanë përfshirë shpesh ekranet televizive, nëse ishte luftë civile apo luftë për çlirimin e atdheut, janë disa detaje të tjera që rrëzojnë tërësisht atë pjesë të rëndësishme të propagandës së diktaturës, moralin komunist.

Ka dokumente zyrtare që vërtetojnë imoralitetin e pazakonte që ka përfshirë çetat partizane gjatë luftës. Ka letra zyrtare që gjenden në Arkivën e Shtetit që dëshmojnë për atë imoralitet të partizanëvë nëpër malet e Shqipërisë. Janë shumë dokumente të kësaj natyre që janë shkruar nga partizanë e partizane të brigadave sulmuese, ku përmenden ato që ata vetë i quanin 'kurvëri'. Është letra e “Furtunës”, partizanes që i shkroi letër “Tarasit”, pseudonimi i diktatorit Enver Hoxha, ku i shpjegonte imoralitetin që po ndodhte në brigadën e VII-të sulmuese, atje ku kishte plasur vjedhja dhe abuzimi seksual mes shoqeve e shokëve partizanë, e atje ku kishte rol edhe Ramiz Alia.

 

Letra e "Furtunës"

Në kohët e fundit është vënë re një shkarje e fortë nga vija e moralit. Me dhimbje ju them se puna paraqitet deri diku serioze. Eleni P. e fejuar legalisht pas shumë peripecirash me Theodhoraq S., ka bërë pjesë në një grup të partisë. Mbasi dolli në ilegalitet shkoi të shërbejë pranë një infermierie sefte në Shën Prodhron e më vonë në Kushovë. Atje ngatërrohet me një infermier dhe ky grupist. Puna shkon përherë duke u trashur deri sa zonjusha e harron Thofin e jeton pranë këtij të dytit. Tash kjo gjë është marrë vesh në tërë fshatin, ku ish ajo, pse s’kish mbetur njeri pa parë ndonjë skenë. Nuk ka mbetur gjë tjetër, veçse ta fluturojmë jashtë organizatës.

Por kjo ka qënë shumë e zgjuar, e ndjeu që larg gabimin e saj e për të pasur një shtyllë ku mbështetej i afrohet Nexhipit dhe ay pa një pa dy bie në kurth të sajë. Këtë punë ajo e ka bërë me plot koshiencë, pse ka menduar se kjo do të ish e vetmja rrugë shpëtimi për të.

Nexhipi ka shkelur në dërrasë të kalbur se këtë mes shoku i dinte mirë konditat e asaj e ka qënë ky ay që ka tentuar mbas atyre që thotë Eleni. S’mjafton kaqë për Nexhipin. Ay shok përherë nuk ka qënë korrekt në këtë pikë. Në shtab kishte gjithmonë të prefereuarën e tij që një herë bëhej sekretare private si Dhimitra, një herë tjetër infermiere si Petrina Sh. e herë tjetër si guzhiniere e ku di unë… Këto të gjitha janë parë keq prej kujtdo. Eleni P. do të kërkojë me insistim që masat të merren të njëllojta edhe karshi Nexhipi.

Tjetër histori. Petrina Sh. dhe kjo infermiere dhe e fejuar me Nesti Nasen ngatërrohet keqas me Arzen L. Në një mënyrë të bujshme kasolleve dhe ferrave. Arseni anëtar partie e kjo e re komuniste. Dhora L. dhe kjo një tip me nerva  të shkatërruara i vihet mbrapa Jorgo P. lë punën e bëhet lojë e të gjithë fshatarëve. Të gjithë këto hidhen jashtë organizatave…

Letra e “Tarasit” dhe leksionet për seksin mes partizanëve

Ka edhe përgjigjen e letrës së “Tarasit” drejtuar komisarit, i shqetësuar për “epshet seksuale të partizanëve' ishin kthyer në problem për Komitetin Qëndror.

Nga sa evidentohet në letër, brigada e VII-të Sulmuese, kishte qënë problematike, ashtu si dhe të tjera dhe për këtë arsye udhëheqësi ishte detyruar të shkruajë leksonin e tij mbi dashurinë dhe seksin për të ndërgjegjësuar partizanët që po “luftonin” maleve për liri, por që kishin ngatërruar punët e luftës me ato të seksit.

 

I dashur shok!

Morëm raportin mbi gjendjen në organizatën e Partisë në brigadën e VII-të. Metoda e punimit në celula e në Byro të ndryshme të Brigadës është e mirë, por vetëm duhet që kjo të mos jetë okazionale, por të vazhdohet edhe ndihma nga ana jote si dhe kontrolli i zbatimit të detyrave që iu caktohet, të bëhet i dendur….

Kadriu mori mjaft shënime, kur erdhi këtu, për përgatitjen e një aktivi, si dhe tema të ndryshme që mund të përgatitni dhe t’i mbani në brigadë. Artikujt dhe qarkoret e ndryshme që ju vijnë, duhet t’i këndoni me kujdes dhe t’i punoni.

Për shumë çështje që kanë ngjarë atje në Brigadë, janë në lidhje me abuzime, vjedhje dhe çështje seksuale, kemi biseduar me Lilen dhe ay do të vërë në korent për zgjidhjet që mendojmë.

Çështjet e dashurisë së lirë duhet të shtrohen drejt dhe me guxim e sidomos për anëtarët e Partisë. Por, s’mjafton të shtrohet drejt, por edhe të dihet e të zbatohet pa kaluar në ekstremitete.

Do të jetë një gabim i madh e do të kemi mjaft dëme, në rast se e shohim këtë çështje në mënyrë sektare, por nga ana tjetër do të kemi humbje në rast se e keqkuptojmë dashurinë e lirë e shkojmë në kurvëri. Duhet gjetur rruga e mesme dhe e drejtë. Për të shkuar drejt në këtë çështje duhet që ata shokë dhe shoqe që bashkohen duhet të kenë kuptuar rëndësinë e bashkimit, i cili nuk mund të jetë i plotë dhe i durueshëm në rast se shikohen epshet seksuale….

..Vetëm ku qëndron e keqja?

Shokët tanë kur bashkohen procedojnë më parë nga përmbushja e aktit seksual pa marrë parasysh asgjë tjetër dhe më vonë atyre iu bie ndërmënd ta njohin më mirë shokun që kanë zgjedhur, por aherë deziluzionet janë shumë të mëdha dhe shkëputja bëhet e paevitueshme. …Një gjë e tillë mund të ketë edhe konsekuenca të këqija në rast se keqkuptohet nga shokët, pse aherë të gjithë do të shkojnë çifte-çifte për t’u njohur më mirë dhe të harrojnë çdo gjë tjetër.

Këtë çështje nuk duhet ta shtroni në mënyrë që ajo të bëhet çështja kryesore e ditës dhe të harrohet çdo gjë tjetër. Seksioni politik suprimohet pse shokët e këtij seksioni me përjashtim të Ramiz Alisë dhe deri diku të Myzafer Trebeshinës, nuk e kishin kuptuar detyrën dhe lëshime, gabime, neglizhenca janë regjistruar në aktivitetin e tyre….

 

Të fala shoqnore

Enver Hoxha

 

 

Të fundit