Drafte paralele për Reformën Zgjedhore edhe nga PD, Gjiknuri: Do t’i trajtojmë, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri është përgjigjur lidhur me propozimet e opozitës jashtë parlamentare për ndryshimet e kësaj reforme.

Pas mbledhjes, në një dalje për mediat, Gjiknuri u pyet se ku do të jetë pika e takimit mes drafteve të dala nga dy mbledhjeve paralele, pra nga grupi i punës i opozitës së bashkuar dhe mazhoranca me opozitën parlamentare, që këtë të fundit PD nuk e njeh dhe e cilëson si ilegjitim.

Gjiknuri tha se propozimet e opozitës së bashkuar do të trajtohen por në mënyrë indirekt, duke u dërguar pranë OSBE-së.

“Së pari, jam i gëzuar që PD po e merr seriozisht reformën zgjedhore. Nga deklaratat që kanë bërë publike, kanë filluar të punojnë, ndonëse nuk e njohin komisionin e posaçëm.

Por kjo nuk na pengon të krijojmë cdo lloj mënyre komunikimi për aq kohë sa propozimet që kanë lidhur me përmirësimin e kodit zgjedhor të mund të përfshihen si punë e komisionit të reformës zgjedhore.

Nëse ata do të përgatisin draftet e tyre duke ja dhënë OSBE dhe jo ne mënyrë të drejtpërdrejte, ne do të kemi mundësi t’i marrim e t’i trajtojmë . Do bëjmë çmos që çdo rekomandim i tyre që është në përputhje me rekomandimet e OSBE, natyrshëm do ti marrim parasysh dhe mbase do të jetë një rast i rrallë ku dakordësia e Kodit Zgjedhor nuk do të shtrihet vetëm në partitë parlamentare por edhe ato jashtë parlamentare”, tha Gjiknuri.